Kjo është deklarata e Rashicës pas fitores ndaj Maltës
Kosovës, Milot Rashica, që sonte pati paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Maltës është duke menduar për kundërshtarin e radhës, Azerbajxhanin.
Rashcia ishte njëri ndër më të mirët në fushë në fitoren prej 0-5 ndaj Maltës, duke shënuar një gol e duke asistuar dy herë, transmeton Koha.net.
Megjithatë për të më e rëndësishme është fitorja e Kosovës.
“Jam i kënaqur me golin dhe asistet e mia, por jam edhe më shumë i kënaqur me fitoren pasi kemi pasur nevojë për të. Kemi punuar për njëri-tjetrin, kemi ndihmuar njëri-tjetrin e kemi vrapuar. Kemi luajtur bashkë si ekip, e kjo ka më së shumti rëndësi dhe besoj se në fund kemi shënuar një fitore shumë të rëndësishme”, ka deklaruar Rashica pas takimit.
Ai ka shtuar sot Kosova ka mundur të shënonte 2-3 gola vetëm në pjesën e parë.
“Jemi futur në këtë lojë me idenë që të mos bëjmë gabimet që kemi bërë në ndeshjen e fundit, që na kushtuan në fund me dy pikë, e rastet e krijuara jemi munduar t’i shfrytëzojmë më mirë. Në pjesën e parë kemi mundur të shënojmë edhe 2-3 gola, por besoj se këtë e bëmë në pjesën e dytë, duke kontrolluar lojën dhe shfrytëzuar rastet që patëm”, ka thënë Rashica.
Ylli i Werder Bremenit thotë se përkundër fitores së thellë nuk ka kundërshtar të lehtë, e ashtu ishte edhe Malta.
“Besoj se nuk ka kundërshtarë të lehtë. Sot kemi luajtur si mysafirë dhe Malta s’ka pasë çka të humbë. Nuk ka kundërshtar të lehtë, por ne jemi futur në lojë shumë më të fokusuar, kemi luftuar për njëri-tjetrën dhe besoj se në fund merituam fitoren”, u shpreh ai, raporton “Koha.net”.
Rashica thotë se tani fokusi është te ndeshja ndaj Azerbajxhanit në “Fadil Vokrri”, e kualifikimi i mundshëm do të ishte fantastike për Kosovën.
“Ndeshja ndaj Azerbajxhanit është si finale, dhe ndeshja më e rëndësishme për të gjithë neve si shtet. Sot ne kemi përfunduar pjesën e parë dhe e dyta është në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ kundër Azerbajxhanit. Besoj se kemi pëërparësi me gjithë ata tifozë tonë, por praprë se praprë në fushë jemi të gjithë të barabartë. Kualifikimi tutje do të ishte dhurata më e mirë për shtetin tonë të ri, do të ishte diçka fantastike”, është shprehur ai.
Kosova është lider në Grupin 3 në Ligën D, dhe të martën do të ndeshet me ndjekësin e parë Azerbajxhanin në Prishtinë.