Kjo është dramë e madhe, prandaj duhen 1-2 vjet për t’u kthyer në normalitet
Bill Gates, themeluesi i Microsoftit dhe një ndër financuesit kryesor të kërkimit shkencor për gjetjen e vaksinës së koronavirusit, paralajmëron se kthimi në normalitet pas virusit nuk mund të ndodhë para një ose dy vjetësh.
Pasi paralajmëroi në vitin 2015 se një pandemi do ta trondiste botën, Gates bëhet protagonist në kërkimet ndërkombëtare për vaksinën kundër Covid-19.
Në një intervistë për ‘Le Figaro’ ai tha se “duhet të jemi gati që t’i shtojmë kapacitetet për të prodhuar teste dhe ta bëjmë industrinë të jetë gati që të ketë një terapi më të shpejtë dhe më tej vaksinat”.
Ai thotë se për momentin i gjithë kapaciteti i tij është përqendruar në luftën ndaj Covid-19, duke shtuar se virusi ndërhyn në një sërë aktivitetesh duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe mendore. “Është një dramë e madhe dhe gjithçka që mund të bëjmë është të japim një dorë dhe do ta bëjmë. Besoj se nuk do të kthehemi në normalitet para një apo dy vjetësh. Me një sistem të bazuar në testime dhe gjurmime duhet të jemi në gjendje që ta mposhtim infeksionin. Por nga frika e prekjes, njerëzit do të ndryshojnë në mënyrë radikale sjelljen e tyre”, deklaroi Gates.