Kjo është gjendja shëndetësore e pacientes së parë të infektuar me variantin afrikan të Covidit në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë me dije se në Kosovë është konfirmuar një rast i infektuar me variantin afrikan të SARS CoV-2.
Nga IKShPK-ja është thënë se kontaktet e pacientes pritet të hulumtohen për identifikim eventual të rasteve tjera të infektuara me këtë variant.
Infektologu Salih Ahmeti ka treguar se virusi ka prekur mushkëritë e pacientes dhe se ajo po mbahet me oksigjen.
“Ne e kemi një rast të shtrirë i cili është në trajtim në klinikën tonë. Gjendja e pacientes është në menaxhim. Është një paciente që ka prekje mushkërorë. Pacientja është me oksigjenoterapi”, ka deklaruar ai për “Express”.
Ahmeti ka thënë se pacientja në fjalë është duke e merr gjithë shërbimin e nevojshëm mjekësor dhe se shpresojnë që gjendja e saj të përmirësohet.
“Ajo është në një kujdes intensiv, kujdes që nënkupton trajtim sikur edhe të rasteve të tjera me COVID. Pacientja është me oksigjenoterapi dhe ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që gjendja e saj të përmirësohet dhe shpresojmë që të ketë përmirësime. Ky është rasti i parë i prekur me këtë variant”, ka deklaruar Ahmeti.
Përndryshe, ai është shprehur se qytetarët nuk duhet të shqetësohen me prezencën e këtij varianti në vend, pasi që sipas tij në aspektin klinik dhe simptomatologjik ai nuk dallon nga variantet tjera.