Kjo është gruaja që vdiq pasi u plagos me armë në Prishtinë, ishte kalimtare rasti
Egzon Haziri nga Prishtina ka mbetur i vrarë mbrëmë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën ‘Jeronim De Rada’, ndërsa tre persona tjerë u plagosën nga dy të dyshuarit, vëllezërit Naim Berisha 39-vjeçar dhe Ahmet Berisha 29-vjeçar. Në mesin e të plagosurve ishte edhe Zejnie Gashi, 48-vjeçe, e cila u dërgua me urgjencë në spital për tretman mjekësor. Mirëpo ajo s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë sot në spital.
Lajmin për vdekjen e saj ka konfirmuar shefi i Klinikës së Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.
“Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë quar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellë në Intensivë. Tek ne është sjellë në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht tretmanit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, ka thënë Uka.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy të rinjtë, Lum Halimaj dhe Bilall Kqiku, pasi të njëjtit ishin në vendin e ngjarjes në momentin kritik.