Kjo është kërkesa e Agim Bahtirit për Kuvendin dhe Qeverinë

06 shtator 2018 | 18:24

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nëpërmjet një kërkesë publike për Qeverinë dhe Kosovës, ka thënë se askush nuk mund të luajë me Mitrovicën

Bahtiri u ka bërë thirrje edhe deputetëve të Kuvendit që t’i lenë anash interesat personale dhe t’i thonë jo shkëmbimeve territoriale të Kosovës me Serbinë.

Kërkesa e plotë e Bahtirit:

KËRKESË PËR KUVENDIN DHE QEVERINË

Duke e parë situatën e rëndë në të cilën gjenden institucionet e Kosovës për shkak të dialogut të Kosovës me Serbinë, e kam një mesazh për deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës, pasi që nuk bën të luhet me fatin e Mitrovicës, duke përdorur shkëmbimet territoriale apo ndryshimin e kufijve.

Le ta dijë mirë ky president, kjo qeveri, e secili deputetë, se për çdo veprim që bëjnë do të japin llogari para qytetarëve të Mitrovicës, sepse askush të mos mendojë se mund të shkatërrohet e ardhmja e Mitrovicës dhe tërë Kosovës. Mjaftë e kanë ndarë Mitrovicën, e kanë varfëruar dhe në krah të këtyre dhimbjeve që i kanë shkaktuar veriut dikush është pasuruar me anë të kontrabandës Prishtinë – Beograd.

Askush më nuk do të mund të luaj me Mitrovicën dhe tokën e saj te ujitur me gjakun e dëshmorëve, të bijve dhe bijave tona më të çmuara të kombit tonë. Tani flitet dhe proklamohet prej qarqeve më të larta të shtetit, duke filluar nga Hashim Thaçi së bashku me njerëzit e afërt të tij, e duke lobuar te miqtë dhe armiqtë e Kosovës për të copëtuar trojet tona shekullore shqiptare.

Ju bëj thirrje deputetëve, që në emër të gjakut të derdhur që ende ka aromën e freskët dhe ajo aromë gjaku duhet të ju përcjellë gjithkund, në shtëpi, në punë e në rrugë, në emër të lotëve të nënave që kanë mbetur pa djem dhe bija të tyre, në emër të fëmijëve jetim që nuk i kanë parë prindërit e tyre, në emër të amanetit të dëshmorëve tonë, në emër të qytetarëve të Mitrovicës së plagosur, ju ftoj që të bëheni një, një grusht i fortë, duke i lënë anash interesat partiake, grupore, personale dhe t’i thoni jo shkëmbimeve territoriale të Kosovës me Serbinë.

E ftoj kryeministrin e vendit për të cilin kam respekt për luftën që e ka bërë për çlirimin e vendit, për familjen e tij që kanë dhënë shumë për këtë vend, që të merr timonin në dorë të anijes së madhe të quajtur Kosovë dhe ta drejton në destinacionin e ruajtjes së sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Nuk e kam dëshiruar rrugën asnjëherë, pasi që gjithmonë i dëshiroja bisedimet në tavolinë, sepse atje jam shumë i fuqishëm. Por çdo lëvizje në drejtim të kundërt të këtij apeli tim, në emër të qytetarëve të Mitrovicës do të më fus në një proces tjetër, e që unë nuk e dëshiroja.

Prandaj edhe njëherë ju bëj thirrje, që o sot o kurrë të bëheni një, të bëni një platformë prej njerëzve më të mirë të vendit për të biseduar me palën serbe, pa hyrë në rend dite opsioni i ndarjes apo shkëmbimit të territoreve, pa hyrë në rend dite themelimi i Asociacionit me fuqi ekzekutive, por të hyj në rend dite normalizimi i gjendjes politike dhe njohja reciproke e dy shteteve sovrane, siç janë Republika e Kosovës dhe Serbisë.

Besoj që secili deputetë në Kuvendin e Kosovës do ta mbështes opsionin tim dhe do të ju isha falënderues gjithë jetën, sepse ky është një moment historik për qytetarët e Kosovës e në veçanti për qytetarët e Mitrovicës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vitin e kaluar, Rihanna ka publikuar linjën e saj kozmetike…