Kjo është kërkesa e vetme e shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës thonë se marrëdhëniet jo të mira mes Kosovës dhe Serbisë janë pengesa kryesore për integrimin dhe zhvillimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ata thonë se synimi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën nëpërmjet ndonjë forme të ndryshimit të kufijve duket i parealizueshëm, por kërkojnë që shqiptarët në atë zonë të gëzojnë të njëjtat të drejta, sikurse edhe serbët në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, thotë në një bisedë me “Zërin e Amerikës”, se tashmë është e qartë që bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën nëpërmjet shkëmbimit të territoreve nuk mund të realizohet, por kërkon që shqiptarët në Luginë të kenë të drejta të njëjta sikurse serbët në Kosovë.
“Është sqaruar edhe njëherë që nuk është ide e mirë shkëmbimi i territoreve edhe pse ne këmbëngulim në atë që dëshirojmë të jemi me Kosovën, por shkëmbimi i territoreve edhe për neve nuk vije në shprehje.
Po shihen që ndërkombëtarët janë radhitur në drejtim të asaj që ky shkëmbim territoresh apo ndryshim kufiri të mos realizohet, për neve prapë është dëm sepse kemi punuar me dekada në drejtim të asaj që të jemi pjesë e Kosovës por kjo në qoftë se rezulton në dy gjëra është e pranueshme, e para është që të pranohet Republika e Kosovës si shtet në OKB dhe e dyta është që të vlejë reciprociteti për shqiptarët e Luginës së Preshevës në krahasim me serbët në Kosovë.
Kështu që shpresojmë që këto dyja nëse i nxjerrim si rezultat nga ky debati i vitit të kaluar atëherë edhe ne jemi të kënaqur”,tha ai.
Ragmi Mustafa, që udhëheq Këshillin Kombëtar të shqiptarëve në Serbi, me seli në Bujanoc, thotë se të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës vazhdojnë të shkelen dhe se Serbia, thotë ai, nuk ka treguar vullnet politik e as pragmatik për të zgjidhur çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Andaj duke pasur kontekstin Kosovë-Serbi ne mendojmë që domosdoshmërisht Lugina e Preshevës duhet të jetë çështje e trajtuar në kuadër të dialogut dhe duke trajtuar edhe çështjet e dialogut të gjendet zgjidhje edhe për çështjen e Luginës së Preshevës”,tha zoti Mustafa.
Mustafa thotë se çështja e Luginës së Preshevës vetëm sa e ndihmon dialogun Kosovë-Serbi.
“Dialogu për qëllim nëse e shohim ka marrëdhëniet e mira fqinjësore në mes të Kosovës e Serbisë dhe këto marrëdhënie nuk mund të jenë mirëfilli pa kaluar përmes Luginës së Preshevës dhe është e paimagjueshme që Kosova të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë për derisa shqiptarët e Luginës së Preshevës në mënyrë sistematike dhe perfide diskriminohen”, tha ai.
Vitin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi idenë e tij për korrigjim të kufirit me Serbinë që do të nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.