Kjo është komunikata zyrtare që njoftonte për çlirimin e Prishtinës

11 qershor 2019 | 11:11

Ish-zëdhënësi i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Muharrem Mahmutaj, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ka publikuar komunikatën e plotë të kësaj zone, e cila ishte shkruar në ditën e çlirimit të Prishtinë, më 11 qershor 1999.

“Përfaqësues ushtarakë të NATO-s kanë zbritur sot edhe në Brigadën 151 ‘Zahir Pajaziti’ dhe me drejtuesit e kësaj komande kanë biseduar për modalitetet e bashkëpunimit. Me rastin e çlirimit të Prishtinës, komanda e Zonës Operative të Llapit dhe komandant Remi ju dërgojnë përshëndetje nga kryeqyteti i çliruar duke i siguruar të gjithë të zhvendosurit nga lufta se shumë shpejt do të kthehen në Kosovën dhe në Prishtinën e lirë që bashkërisht të fillojmë ndërtimin e një jetë të re”, është thënë në komunikatën zyrtare të UÇK-së, e cila njoftonte për çlirimin e Prishtinës.

Komunikata zyrtare që njofton çlirimin e Prishtinës:

JU FLET PRISHTINA E LIRË

Prishtinë, 11 qershor 1999

Komanda Ushtarake e Zonës Operative të Llapit dhe Njësitë e saj Gardiste, të cilat së bashku me guerilen BIA, qe tash e një kohë të gjatë veprojnë në kryeqytet, që nga mëngjesi i sotëm edhe zyrtarisht kanë adresë në Prishtinë.

Nën intonimin e himnit kombëtar , gardistët kanë ngritur herët në mëngjes flamurin, i cili po valon lirshëm nga ballkoni i objektit ku është vendosur Komanda e Zonës Operative të Llapit.

I pari mysafir që ka vizituar komandën dhe i ka uruar mirëseardhje UÇK-së në kryeqytet është krenaria kombëtare Adem Demaçi, njeriu i flijimeve të mëdha, i cili as në ditët tragjike për asnjë çast nuk e lëshoi Prishtinën.

Baca Adem ka mbërritur në Komandë rreth orës 8 të mëngjesit i pritur me nderimet me të larta ushtarake nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafa dhe Garda Kombëtare e Zonës Operative të Llapit.

Në bisedën e ngrohtë që zhvilloi me pas me Komandant Remin dhe ushtarakët tjerë Baca Adem rikonfirmoj edhe një herë rolin historik të UÇK-së dhe luftës së saj dhe shprehu bindjen se këtë djem trima do të dinë t’i japin vulën edhe proceseve në vazhdim.

Komandat Remi e ka falënderuar Bacën Adem për vizitën dhe duke vlerësuar lartë aktin e tij për të qëndruar i palëkundur në Prishtinë ka theksuar se emri i tij ishte dhe mbetet forca morale e UÇK-së.

Rreth orës 14:00 në Komandë e Zonës Operative të Llapit , e cila tashmë ka adresë në Prishtinë, kanë ardhur përfaqësuesit e Komandës së NATO-s për Prishtinën, në kuadër të misionit të KFOR-it. Gjatë takimit me Komandant Remin përfaqësuesit e NATO-s kanë theksuar nevojën e bashkëpunimit dhe të dyja palët janë pajtuar që duhet të punohet që sa më shpejt të krijohen kushtet për kthimin e sigurt të të zhvendosurve .

Ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë, në të cilin UCK-ja do të ketë rol të rëndësishëm.

Përfaqësues ushtarakë të NATO-s kanë zbritur sot edhe në Brigadën 151 “Zahir Pajaziti” dhe me drejtuesit e kësaj komande kanë biseduar për modalitetet e bashkëpunimit.

Me rastin e çlirimit të Prishtinës, komanda e Zonës Operative të Llapit dhe komandant Remi ju dërgojnë përshëndetje nga kryeqyteti i çliruar duke i siguruar të gjithë të zhvendosurit nga lufta se shumë shpejt do të kthehen në Kosovën dhe në Prishtinën e lirë që bashkërisht të fillojmë ndërtimin e një jetë të re.

Inline image

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rafael Nadal konfirmoi edhe një herë pathyeshmërinë e tij në…