Kjo është ministrja më “e pasur” në Qeverinë Kurti
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar mbi 190 mijë euro kursime në bankat komerciale, ndërsa për sa i përket pasurisë së patundur ajo tregon se posedon një banesë, e cila është e dhuruar nga prindërit.
Kështu thuhet në formularin e deklarimit të pasurisë të vetë ministres Rizvanolli në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Në deklarim, ajo shënoi se banesa prej 91.8 metër katrorë në vlerë prej 75 mijë euro është e dhuruar nga prindërit.
Rizvanolli thotë se posedon një veturë Renault Kadjar në vlerë prej 18 mijë euro.
Po ashtu, ajo në formularë të AKK-së thotë se ka 0.41 për qind aksione në Kolegjin Riinvest, ku dhe është ligjëruese.
Nga paratë e gatshme, Rizvanolli thotë se ka 191 mijë e 456 euro të kursyera në emër të vetin dhe të bashkëshortit.
Për sa i përket të hyrave vjetore, ministrja thotë se ka mbledhur mbi 32 mijë euro në emër të pagave dhe mëditjeve.