Kjo është oferta e fundit e Vetëvendosjes për LDK-në
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka treguar për ofertën e fundit që lideri i kësaj partie Albin Kurti i ka propozuar liderit të LDK-së, Isa Mustafa.
Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se oferta e fundit përfshin një ministri për LDK-në, e cila do të jetë pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LV-ja.
Propozimi i Kurtit për Mustafën:
Propozimi drejtuar kryetarit Mustafa
I nderuari Kryetar i LDK-së, z. Isa Mustafa,
Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona. Sipas kërkesës suaj në komunikimin tonë të fundit, po ua dërgoj atë edhe me shkrim:
1. E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.
2. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkëngjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jepen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.
3. Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.
Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës.
Me respekt,
Albin Kurti, Kryetar i LVV