Kjo është origjina e fotos që u bë imazh i luftës së UÇK-së
Botuesi i gazetës “Epoka e re”, Muhamet Mavraj, ka treguar origjinën e fotos e cila u bë imazh i luftës së UÇK-së dhe i Kompleksit Memorial Adem Jashari.
Në profilin e vet në “Facebook”, Mavraj ka shkruar se fotoja në të cilën janë komandanti legjendar Adem Jashari dhe vëllai i tij Hamëza, ndërsa në sfond është stema e UÇK-së, për herë të parë është botuar në vitin 1998 te gazeta studentore “Bota e re” dhe jashtë vendit në gazetën “Zëri i Kosovës”, ku kjo fotografi është punuar nga Adnan Asllani.
“Meqë po bie fjala ndonjëherë…Kjo është origjina e kësaj fotoje që u bë imazh i luftës dhe i Kompleksit Memorial. Ishte kalendar qe e botuam ne, të ‘Bota e re’ dhe jashtë të ‘Zëri i Kosovës’, në fund të vitit 1998. Nga disa fotografi tonat dhe të këtyre burrave, u ndërthur dhe mori këtë pamje nga dizajnimi i dorës mjeshtërore te Adnan Asllanit, të cilën e pëlqyem dhe e botuam në Prishtinë. (I jam shumë mirënjohës motrës së vogël që ma përkujtoi këtë kalendar!)”, ka shkruar Muhamet Mavraj.
Gazeta “Bota e re”, ishte gazetë e Lëvizjes Studentore, që drejtohej nga Muhamet Mavraj, njëri prej liderëve kryesorë të Lëvizjes Studentore.
“Bota e re”, ashtu si “Zëri i Kosovës”, jo vetëm që ishte zë i fuqishëm i pushkëve të UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë çlirimtare, por përmes kontakteve të drejtpërdrejta të kryeredaktorit Mavraj me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe LPK-në, luajti rol të jashtëzakonshëm edhe në mobilizimin e rinisë studentore të Kosovës për t’iu bashkangjitur radhëve të luftëtarëve të lirisë.
/Epoka e re/