Kjo është pasuria e kryetarit të PDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, Krasniqi ka deklaruar se posedon një apartment me sipërfaqe 110 metra katrorë, i cili sipas tij kushton 110 mijë euro.
Këtë apartment, ai ka deklaruar se e ka blerë nga shitja e apartamentit paraprak dhe kursimet.
Përveç këtij apartment, ai ka deklaruar edhe një shtëpi në vlerë 160 mijë euro, e cila është në pronësi të përbashkët.
Tek pasuritë e luajtshme, ai ka deklaruar një bibiliotekë personale në vlerë 13 mijë euro, piktura dhe vepra arti në vlerë 6 mijë e 500 euro si dhe një veturë të bashkëshortes në vlerë 22 mijë e 500 euro.
Shuma e parave të gatshme që ka nëpër banka sillet rreth 11 mijë e 600 euro, derisa ka borxhe në vlerë rreth 118 mijë euro.
Të hyrat vjetore të Krasniqit sillen rreth 21 mijë e 600 euro, të cilat i merr nga Kuvendi i Kosovës.
Në fund të deklarimit, Krasniqi ka treguar se posedon edhe disa lloje të kriptovalutave, ku shihet se ai ka investuar edhe në NFT.