Kjo është performaca e Trustit

15 janar 2019 | 16:52

Duke marrë shkas nga reagimet e fundit për investimet e FKPK-së, ju lutem të lexoni shpjegimet e mëposhtme. Po ashtu, ju lusim të mos ndikoheni nga interpretime të pabaza të komentuesve të ndryshëm. Çdo profesionist i financave dhe investimeve e kupton se rënia, sikurse edhe ngritja e vlerës së mjeteve, është pjesë e zakonshme e punës në investime. Kështu thuhet në shpjegimin e Trustit.

 

“Performanca në tregje financiare globale në vitin 2018 ishte më e dobëta që nga kriza financiare e vitit 2008. Shkaktarët kryesorë të kësaj rënieje ishin kryesisht faktorët gjeo-politikë (lufta tregtare SHBA-Kinë), shtrëngimi monetar në SHBA që ndikon në rënien e vlerës skontuese të aksioneve dhe obligacioneve, si dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike globale.  Përkeqësimi i këtyre treguesve si dhe efekti negativ në tregje financiare ka prekur të gjithë investitorët global, sikurse edhe Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), që 80% të mjeteve nën menaxhim i ka të investuara në tregje globale. Në fund të vitit 2018, FKPK është ballafaquar me rënie të vlerës së portofolit investues prej -5.2% apo -€84,7 milion. Sidoqoftë, nga 1 janari 2019 e deri në kohën e këtij postimi, kjo rënie është rikuperuar për €22.5 milion. Andaj, kjo rënie e përkohshme e vlerës, ishte e pashmangshme duke marrë parasysh performancën negative të tregjeve kyçe financiare, në të cilat operon FKPK. Shumica e indekseve globale të akcioneve kanë rënë më shumë se -10% (grafiku më poshtë), rënie kjo dukshëm më negative se performanca e FKPK-së”, është thënë në njoftimin e Trustit.

Sipas këtij njoftimi, FKPK-ja,  ka arritur të amortizoj drastikisht këtë rënie të tregjeve financiare duke ngritur ekspozimin në obligacione të huaja dhe të Kosovës, të cilat ofrojnë stabilitet më të lartë kundrejt aksioneve. Në periudhë afatgjatë, vlera kumulative e çmimit të njësisë së FKPK-së është ngritur për +61.4%, apo +4.9% si mesatare vjetore përgjatë 10 viteve të fundit.

“Në praktikë, politika dhe strategjia investuese e fondeve pensionale formulohet krahas pritshmërive afatgjata. Objektivi primar është stabiliteti në periudhë afatgjatë. Struktura e portofolit investues të FKPK-së gjatë vitit 2018 ka qenë mirë e diversifikuar dhe ka shfaqur resistencë të lartë ndaj luhatjeve të theksuara në tregje globale.  FKPK-ja,  ka arritur të përmbushë këtë objektiv pasi portofoli është karakterizuar me stabilitet dukshëm më të qëndrueshëm se tregjet kyçe të aksioneve. Risku i matur i portofolit të FKPK-së (5.0%) ishte afërsisht tri herë më i vogël sesa i indekseve globale (shih grafikun më poshtë). Kjo qëndrueshmëri më e lartë e portofolit tregon se strategjia mbrojtëse e investimeve gjatë vitit 2018 ka dhënë frytet e saj. Duhet kuptuar që kthimi pozitiv gjatë gjithë kohës është i pamundur, aq më tepër kur të gjitha tregjet financiare shënojnë rënie”, thuhet në njoftim të Trustit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka themeluar Komitetin ndërministror për përzgjedhjen e…