Kjo është poezia ime e fundit
J. T. GILLET
1
Të shkruarit e poezisë është si sëmundja që nuk ka ilaç.
Ti e lejon të rrjedhë shtegut të vet
dhe një ditë zjarrmia shpërthen.
Këtë zjarrmi e kam pasur që njëzet e shtatë vjet.
Kam shkruar mori poezish të egra dhe të pasionuara.
Kam shkruar poezi qoshelie për redaktorë qosheli.
Poezi radikale për revolucionin që nuk ekziston.
Poezi që kanë lypur verë dhe muzikë.
Kjo është poezia ime e fundit.
Asnjë amerikan s’ka shkruar poezi të hairit
që njëzet vjet ndërsa unë jam lodhur duke u përpjekur.
Orët letrare janë të mërzitshme. Përnjëmend të mërzitshme.
Kam lexuar me dhjetëra poezi nëpër orë letrare.
Poezi xhezi. Poezi sureale, tronditëse. Poezi të mërzitshme.
New Yorker boton poezi të mutsihanta.
Revistat e poezisë janë të mbushura me poezi të mutsihanta.
Edhe unë kam shkruar goxha shumë poezi të mutsihanta
dhe kjo është poezia ime e fundit.
Kryevepra ime e mutsihantë. Finalja e madhe. Dalja e madhe.
Ekzodi i poetit. Mërgim nga skllavëria poetike.
Ode për lamtumirën e fundit.
Fjalët e mia të fundit poetike. Fjalët e mia të fundit mbi poezinë.
Omega ime e poezisë. Vaji im për poezinë.
Eshatologjia ime për poezinë. Arkivoli im poetik.
Lopata ime plot dhe në varrin e poezisë.
Kjo është poezia ime e fundit dhe tashmë veç ndihem më mirë.
Poezia kutërbon.
Shumica e poetëve janë në rregull
derisa nuk ia nisin ta marrin veten tepër seriozisht.
Atëherë shndërrohen në insekte të etura.
Poezia i shtjerrë dhe i ter poetët. Përnjëmend i shtjerrë.
A ka ndokush ndonjë gotë ujë? Birrë të ftohtë?
Harroje shishen, ngase kjo është poezia ime e fundit.
Jam lodhur duke i ndjekur foljet
nëpër fushat e imazheve të etura për gjak.
S’ka më notime nëpër moçalet e llumit rrokjezor.
Pa falënderime.
Ky është takimi im i fundit i llojit poetik.
Më ka ardhur në majë të hundës dalja në gjueti për metafora
në kutërbimin pikues
të çoroditjeve njerëzore që ushqehen nga fundi.
Poezisë ia kënda çoroditja dhe anasjelltas.
Poezia është çoroditje dhe kjo është e imja e fundit.
Shigjeta e fundit në drithmën time poetike.
E imja këngë mjellme. Muzgu im poetik.
Finito del poeto. Endsville.
Zerotokë krejtësisht poetike.
Jam lodhur nga të droguarit dhe përpjekja për të pasur vizione.
Përnjëmend jam lodhur nga përpjekja për t’i mbajtur mend vizionet
dhe për t’i shkruar.
Nuk do t’i shkruaj më.
Jam serioz bash si kanceri: kjo është poezia ime e fundit.
Poezia nuk çmohet në Amerikë.
Në Amerikë çdokush shkruan poezi në klasë të katërt
dhe merr licencë për të ushtruar poezi
dhe e di sesa e vlefshme është poezia
në klasën e katërt e dinë
ata përnjëmend e dinë se çdokush është poet në Amerikë.
Në Rusi në stadiume futbolli
performojnë poezi.
100 000 shokë mallëngjehen aty për aty
nga disa poetë të mirë.
Kjo është vlerë e vërtetë. Kujt i duhen marinsat.
Do ta marr në konsiderim shpërnguljen në Rusi
ama kjo është poezia ime e fundit dhe për këtë arsye do të qëndroj në Amerikë
ku jeta është më e durueshme
ku yjet tinejxhere të tatuazhuara të rokut e me emra të gënjeshtërt
paguhen me miliona dollarë për të masturbuar dhe për t’i ulëritur
këngët që as vetë nuk i shkruajnë
këngë të shkruara para njëzet vjetësh, para se të kenë lindur
derisa poetët madhështorë dhe vizionarë
bredhin të pastrehë dhe të uritur dhe përfundojnë në burg.
Bile edhe presidenti është poet në Amerikë.
Çdo gjykatës është poet në Amerikë.
Çdo polic është poet në Amerikë.
Çdo qen është poet në Amerikë.
Imagjinoni këtë: çdokush në Amerikë luan futboll profesionist.
Ne kemi stadiume të mrekullueshme
ku do të mund të mbaheshin orët letrare
derisa lojtarët profesionistë të futbollit
bredhin të pastrehë dhe të uritur dhe përfundojnë në burg.
Imagjinoni këtë: në Amerikë çdokush ka një kokërdhok
skaj birës së bythës njashtu që mund të sheh qartazi
krejt mutin që nxjerr jashtë
kështu që mund të sheh qartazi shpërthimin e vet poetik.
Kjo është poezia ime e fundit dhe më vjen keq
ama më duhet t’i them këto gjëra.
Bile edhe këtë, dollari im i fundit poetik
nuk ka kurrfarë vlere në Amerikë.
Kjo pushkë 12-kalibërshe për kokën time poetike.
Kjo kamë e lakur 12-inçëshe
për fytin, lëkurën e butë të poezisë.
Një injeksion vdekjeprurës i torturës virale.
Një puthje e druajtur nga oktopusi unazor i gjelbër.
Një shtyrje miqësore mbi shkrepin dhëmbë-dhëmbë.
Një dozë terminale e karmës së menjëhershme.
Kjo do të duhej të ishte poezia ime e fundit.
Dikur besoja se poezitë e mia dëshmonin ekzistencën time.
Dikur besoja se poezitë e mia ishin të pavdekshme.
Ama të gjitha poezitë e mia të bashkuara nuk kanë asnjë vlerë në Amerikë.
Asnjë vlerë në botën e lirë.
Nuk kanë asnjë vlerë derisa nuk përcillen me seks a me para.
Po, kështu e do kjo punë.
Drita e Bardhë Madhështore po afrohet.
Shkëlqimi poetik po venitet
si prej syve të një majmuni që po jep shpirt.
Dikur besoja se poezitë e mia bënin dallimin.
Besoja se të shkruarit e poezisë
e bënin botën vend më të mirë për të gjithë.
Tash ma merr mendja se ka tepër poezi në Amerikë.
Ka poezi grash
dhe poezi pederash dhe poezi të zezakëve.
Ka poezi lesbike të krishtera afro-amerikane.
Poezi hispanike, poezi kroate.
Poezi të veteranëve të Vietnamit.
Poezi të refugjatëve vietnamezë
të refugjatëve nikaraguianë
të refugjatëve psikodelikë
poezi sureale të ëndrrës amerikane
poezi të të pastrehëve që flenë në kontejnerë me dy dhoma gjumi
poezi falimentimi të ekonomive globale
poezi nukleare të forcës shtytëse dhe të trajektoreve
poezi të shkrirjes atomike në cak
poezi të pashmangshme të kontinenteve të humbura
poezi që thuhen sall me rastin e vdekjes
e vetmja poezi që ka vlerë.
2
Pse pata filluar të shkruaja poezi?
Pse njerëzit shkruajnë poezi?
Besoj se poezitë zgjedhin dikë për t’i shkruar ato.
Besoj se poezitë zgjedhin dikë për t’u dhënë formë atyre
bash njashtu siç më ka zgjedhur kjo poezi
për t’i bërë vend në këtë letër
për të dhënë zë në këtë dhomë.
Besoj se në fillim përnjëmend ishte Fjala
dhe kur fjala kërkoi bukuri
poezia e parë qe krijuar
dhe ishte poezi e përkryer
që u fut thellë në shpirtin tënd
çdo frazë ishte goxha e qartë dhe sublime
saqë sall një varg të bënte me vaj
të lexuarit e poezisë deri në fund do të mund të verbonte njerëzit më të fortë
ose të përtërinte dobësinë e zemrës.
Ishte poezi e fuqishme që krijoi
çdo aliteracion amebik
çdo thënie alegorike
çdo pranëvënie të re
çdo krahasim sinaptik
çdo monadë të hiperbolës
çdo rimë molekulare
çdo grup qelizash
që i bën sytë dashurues në natën plazmike.
Poezia e përkryer futi në lëvizje të gjitha hemisferat
zhvendosi boshtin e tokës
ndryshoi orbitën e galaksive
dhe inspiroi dashurinë e parë të vërtetë dhe marrëzinë.
Çdo poezi që e ka thirrur njeriun të veprojë
çdo poezi që ka trazuar një gjeneratë
që ka nxitur rebelime dhe ka nisur ndonjë revolucion
çdo poezi që faktikisht ia ka dalë mbanë
dhe ka ndryshuar rrjedhën e historisë
çdo poezi madhështore është pjesë e poezisë së përkryer
çdo Këngë për veten time dhe Stina në ferr
çdo Ulërimë dhe Ishulli Koni i mendjes
të gjitha poezitë e William Blakeut
kanë lindur nga ajo poezia e parë e përkryer.
Dhe të gjithë poetët, pavarësisht nëse e dinë apo nuk e dinë
kërkojnë atë poezinë e përkryer
dhe duan ta përkëdhelin dhe ta mbajnë afër
dhe ta quajnë të veten.
Disa herë e kam ndjekur poezinë e përkryer.
Po qe besa, e kam parë një herë.
M’u afrua si pushtim
dhe sall me disa fjalë më trullosi.
Është Gral i shenjtë i të gjitha poezive
Tabelë smeraldi i poezive
Gur filozofik i poezive
kabalë e lashtë e poezive
Kafkë dhe Trëndafila e poezive
e vërteta e saj dhe domosdoshmëria më shtypën
sikur pesha e sistemit solar.
Mora stilolapsin dhe letrën.
Doja t’i zaptoja ato fjalë magjike
ama ato më ikën sikur tymi
nëpër dritaren e hapur.
Nuk i pashë më kurrë.
Nuk e ndjek më atë poezi të plotfuqishme.
Kërkimi im për forcën lëvizëse ka marrë fund.
Ama unë ende besoj se poezia e përkryer do të gjendet
ose ndoshta një pjesë e saj do të shfaqet
ndërsa ne do ta dimë kur ta dëgjojmë.
Po qe besa, çdokush në Amerikë do të njohë poezinë e përkryer
sikur të ishte ajo yll roku.
Shpresoj se askush nuk është duke e pritur poezinë time të ardhshme
ngase ajo nuk ekziston.
Ama të gjitha poezitë e mia janë më të mira se kjo.
Për fjalë të nderit.
Kjo është poezia ime e fundit dhe kjo është me rëndësi.
A ka rëndësi nëse kamikazi
kryen sulmin e tij të fundit në mënyrë elegante?
A ka rëndësi nëse parashuta prej kashmiri pothuajse rri e hapur?
Kur kobra kërcyese t’i huq sytë para se të të sulmojë?
A ka rëndësi nëse një dozë legale është e paqëllimshme?
Imagjinoni këtë: një raketë miqësore
që fluturon me shpejtësinë e dritës
të godet bash në majë të kresë.
Ti kurrë as që e ke dëgjuar se po të afrohet.
Kurrë s’e ke parë as shkreptimën.
A ka rëndësi nëse reja e kërpudhës nuk është simetrike?
Disa gjëra ndjekin rrjedhën e tyre.
Mbylle dyqanin. Pusho dhe ndërprite. Mos i bjerë më violinës.
Po e kap perden e leckosur të poezisë me dhëmbë
dhe po e tërheq nëpër dysheme.
Po e shpërthej flluskën e elitës së poezisë me karin tim
dhe krejt këtë rrëmujë po e çoj të pushojë
në një jastëk të butë sateni që t’ia zbus fytyrën e këndshme të poezisë.
Është më lehtë se ç’kujton të shkruash poezinë tënde të fundit.
Nuk është sikur të shkruash Zbulesa
ose poezi nokautuese të errësirës së përjetshme
dhe të dashurisë pa kushte.
Nuk është sikur e të qenit pjesë e diçkaje të lezetshme
si Brezi Bit.
Bash kurrgjë e ngjashme me të.
Definitivisht nuk është sikur të kërcesh kryengulthi
nga maja e hotelit Mark Anthony
ose t’i pish nga dy shishe uiski për ditë
në shtëpinë e mamit tënd.
Kjo është sall poezia ime e fundit.
Buti, bishti, kiameti
fakt i kryer, hasta la vista, loçkë, adios.
Një sajonarë e thjeshtë e penive që shkëlqejnë në sytë e poezisë sime.
Një diçka e vockël për punëtor feriboti: mbaje kusurin.
Kur Robert Frost ishte njëzet vjeç
pat deklaruar se do të bëhet poet i vërtetë
kur t’i mbushë tridhjetë vjet
ose do të gjente ndonjë profesion tjetër.
E pata dëgjuar këtë histori kur isha shtatëmbëdhjetëvjeçar
dhe më tingëllonte goxha fisnike.
Tash jam tridhjetë e shtatë vjeç
dhe po më tingëllon si lidhje me publikun.
Sido që ta marrësh, udhëtimi poetik është më i lezetshëm se ç’është mizor.
Dhe për shkak se besoj se poezia është investim i mirë
në shpirtin e dikujt
dhe për shkak se ky është perëndimi i përjetësisë sime
dhe për shkak se nuk kam zgjedhje
gjithmonë do ta shoh poezinë
në rrudhat e çarçafëve të shtratit tim.
Do t’i kërkoj aventurat e pashprehura
bile edhe do të mund të rrezikoj që të gjej poezinë e përkryer
ama poezi tjetër nuk do të shkruaj kurrë më.
Po marr frymë thellë
dhe po e vras mendjen rreth vdekjes së mikut tim të ngushtë.
Humbjen e pabesueshme dhe vuajtjen duhet ta përballojmë.
Frikën dhe urrejtjen.
Unë jam me fat jam duke e humbur sall poezinë time të fundit.
Po marr frymë goxha thellë dhe kujtoj Allen Ginsbergun.
“Dëgjoje qetësinë ndërmjet frymëmarrjeve tua,”
tha ai, “ky është burimi i poezisë së pastër.”
Po rri goxha qetë dhe po dëgjoj qetësinë
ndërmjet frymëmarrjeve të mia. Vë veshin për një kohë të gjatë
dhe dëgjoj sall qetësi
thuajse asgjëja po i shtohet asgjësë
dhe përnjëmend gjë tjetër s’ka aty.
Ka ardhur koha për një pushim të shkurtër dhe të mbyll gojën.
I mbyll sytë, marr veten me të mirë
dhe shikoj sesi poezia ime e fundit frymën e saj të fundit
derisa të gjitha poezitë që i kam shkruar ndonjëherë më shkreptijnë para syve.
3
Po ta këpusësh fijen që ushqen poezinë tënde të fundit
është sikur t’ia presësh damarët vetes.
Nëse i prenë në drejtim të gabuar
nëse e huq arterien
nëse e gabon gjeometrinë e vdekjes
nuk do t’i biesh kambanës së argjendtë.
Nuk do ta dërgosh viktimën tënde të fle me engjëj.
Nuk do ta lësh të të ikë.
Poezia është sikur gruaja që nuk largohet dot
sikur gruaja që më çon në hënë.
Poezia është sikur gruaja që është tmerrësisht e mirë
si zeshkane drithëruese
gojëmbël, grua e fortë
plot jetë, epshndjellëse
e cila e di fshehtësinë e fundit
vampire e mbrapshtë
e cila ka lidhje të ngushta me dhimbjen
një grua që di sesi kërcehet llambada
një grua që di sesi ta simulojë atë
një grua që nuk di se çka do
një grua që, megjithatë, di sesi ta marrë atë.
Poezia është si një grua që dëshiron të më shohë sesi kulloj gjak.
Një grua heroike, një grua gjenerike
një grua ekzotike, një grua erotike.
Ajo është loçkë e secilit poet
ajo është kurvë e secilit poet.
Ajo i hap krahët e saj, i shtrin këmbët
dhe i lëviz gishtat e këmbës.
Ajo kërcen nga litari i tendosur
dhe zbarkohet në shtratin e puthjeve të buta e të lëngshme.
Temjani i gardërobës përcëllon ajrin.
Puls i thellë i frymëmarrjes së zahmetshme
del nga shpirti i saj: shpirti i poezisë.
Nuk mund ta vras këtë poezi.
Nuk mund të lëndoj këtë zog të butë që më zgjon.
Nuk mund të urdhëroj që kjo poezi të vdesë.
Nuk mund t’i kërcas takat e mia dhe ta përzë.
Kjo poezi është sikur Elvisi që vazhdon të paraqitet.
Unë mund të heq dorë nga kjo poezi
si nga automobili im i parë
sikur nga miqtë e mi të pavdekshëm të fëmijërisë.
Nga kjo poezi mund të heq dorë si nga lëkura ime e vjetër.
I blej poezisë sime biletë njëkahëshe për në Grejslend.
E çoj deri në stacionin e autobusëve.
Shikoj si zhduket në perëndimin e diellit temin të kaltër.
Imagjinoj poezinë time të fundit
duke shkelmuar dhe bërtitur në ulësen e pasme
me fytyrë të mbështetur në dritare.
Ndoshta është dashur ta dërgoj në Las Vegas.
E shikoj që të sigurohem se mos po kthehet
dhe ndiej poezinë time në qetësinë rreth e rrotull meje.
Nuk e fajësoj. Nuk i bie pishman.
Mirënjohja dhe lumturia në çdo drejtim.
4
Humbja e poezisë sime të fundit është më shumë si humbja e një gishti
sesa humbja e një apendiksi.
Humbja e poezisë sime të fundit më çon të përziera.
Neveria e lumturisë
është simptoma e parë e marrëzisë kreative.
Katastrofa është një burim energjie.
Halucinacionet lulëzojnë nën stres.
Piktorët e dinin këtë dhe për ta dëshmuar këtë ata i pritnin veshët e tyre
dhe secili piktor nisi shkollën e vet të pikturimit.
Qysh moti piktura ka qenë pesëdhjetë vjet para poezisë.
Edhe unë e kam nisur një shkollë timen të poezisë
dhe kam filluar të matem me gjithë ata piktorë
dhe kam kuptuar se fotografët
ia kanë dalë mbanë para piktorëve.
Unë jam i vetmi student në shkollën time të poezisë.
Piktorët dhe fotografët janë të mirëseardhur ta ndjekin.
Shkolla ime e poezisë do të mbyllet përgjithmonë
kur të heq dorë nga kjo poezi një herë e mirë.
Kush është ky “Unë” që shkruan këtë poezi?
Faktikisht zërin e kujt dëgjoj
kur mbyll sytë dhe mbaj veshin?
Kur mbyll sytë dhe përpiqem të gjej
vargjet për këtë poezi
kur përpiqem të gjej përfundim të përsosur për këtë poezi
kur përpiqem të gjej fjalët
që thonë çdo gjë që duhet thënë
fjalët e bukura që do t’ju bëjnë të rrëqetheni.
Nga vjen ky zë poetik?
Halucinacionet gojore vijnë nga ana e djathtë e trurit
ama si arrijnë atje?
Unë nuk e di.
Imagjinoni këtë: zëri poetik në kokën time është i incizuar.
Të gjitha poezitë që i kam shkruar ndonjëherë qenë të paraincizuara
ndërsa unë sall i dëgjoj ato brenda në kokën time
dhe besoj se më përkasin mua.
Ndoshta kjo poezi nuk do të mbarojë me krismë.
Ndoshta kjo do të mbarojë me një
fërshëllimë.
Imagjinoni këtë: zëri poetik në kokën time
është zëri i Zotit
i folur bukur moti dhe i pranuar nga truri im
sikur të ishte truri im radio i lirë
ndërsa Zoti Dj qiellor
dhe shou i Tij shket përreth universit
dhe krejt rastësisht futet në kokën e dikujt.
Ndoshta zëri poetik në kokën time është incizuar nga Zoti.
Ndoshta poetët sall transkriptojnë nga makina e mesazheve të Zotit.
Ndoshta zëri poetik në kokën time
nuk është i incizuar nga Zoti.
Ndoshta është i incizuar nga engjëjt e zakonshëm.
Ndoshta djemtë e këqij rregullisht i plaçkitin valët ajrore poetike.
Imagjinoni këtë: insektet janë poetët më të mirë.
Antenat e tyre kapin valët ajrore të para.
Poezia e kacabujve përnjëmend duhet të jetë e fortë.
Imagjinoni poezitë e tërbuara të kolonive të tyre.
Poezitë madhështore të dashurisë milingonat i shkruajnë për mbretëreshat e tyre
e pasura, poezi e ëmbël e kosheres
e përulura, poezi melankolike e mantideve lutëse
e pashuara, poezi e voltazhit të lartë të gjinkallave
poezitë e këndshme të xixëllonjave të mesnatës
bezdisin poezitë e vogla të mushkonjave
poezitë e mrekullueshme të mizave të mishit që hanë kufomat.
Poezia ime e fundit është sikur një shumëkëmbësh.
që trupon rrugës së stërngarkuar
dhe secili automobil e huq për një fije floku
derisa del në anën tjetër
dhe një djalë në biçikletë ia plaquritë prapanicën
ndërsa ajo është e zonja të zhargitet deri në vendin e sigurt
kur një kapak i bucelës i shkoqet Yugos së fundit në Amerikë
dhe zë vend bash në shumëkëmbëshin tim
si një mauzole i ndryshkur
si një monument buzërruge
si një rekuiem për atë që ka mundur të ndodhë
si një rapsodi për botën tjetër.
5
Unë quhem J. T. Gillet
dhe bash dua të di përnjëmend se përse jam këtu.
Unë quhem J. T. Gillet
dhe ka shumë njerëz
që më thonë se këtu jam për arsye të ndryshme.
Ata më thonë se unë jam dikush të cilin unë nuk e njoh bash gjithmonë.
Ata më thonë se unë jam dikush të cilin unë nuk e dua bash gjithmonë
ama ngandonjëherë unë as nuk i njoh dhe as nuk më pëlqejnë poezitë e mia.
Unë quhem J. T. Gillet
dhe sall dua të di se përse po e shkruaj këtë poezi
kur viruset e padukshme
i kanë shpallur luftë species sime
kur viruset që përlajnë e asgjësojnë gjithçka
po përhapen në xhungël
kur fise të tëra janë fshirë nga faqja e dheut nga viruset
kjo të bën të kullosh gjak prej syve deri në grahmën e fundit
kur këta viruse janë vetëm një ditë larg teje me vijë ajrore
kur miliona viruse mbështillen në kokën e gjilpërës
njashtu siç hallakatet Menheteni në orën e pikut
kur çdokush blen për mikpritësin shpirtmirë.
Bill Burroughs thotë se gjuha është një virus nga hapësira kozmike.
Bash dua të di se përse po shkruaj mbi viruset
kur do të mund të shikoja ritransmetimin e programit mbi Ishullin Gillian
ose të rilexoj Mondo 2000.
Bash dua të di se përse po e shkruaj poezinë time të fundit
kur kam shumë gjëra për të bërë e t’ia nis nga fillimi.
Gllabërimi ka zhdukur shumë zogj.
Përditë ka zhdukje të pakufishme
krijesa është e shenjtë, secili çast është aq i përkryer
çaste të pafundme në secilën minutë
të gjitha po japin shpirt
të gjitha qeniet e ndjeshme
të gjitha po japin shpirt
të gjitha gjërat (duke përfshirë edhe ato që nuk ekzistojnë)
të gjitha po japin shpirt
Ashland po jep shpirt
Oregoni po jep shpirt
San Francisko po jep shpirt
sekuojët vigane po japin shpirt
Oqeani Pacifik po jep shpirt
ajri i mirë i pastër po jep shpirt
Grateful Dead po japin shpirt
Unë po jap shpirt
ti po jep shpirt
kjo poezi dalëngadalë po jep shpirt
rokenrolli thotë se nuk po jep shpirt
ama më duhet të riverifikoj pulsin.
Ka shumë mënyra për të provuar se jam gjallë
shumë mënyra për të përdorur trupin tim
këto duar, veshët, gjuhën dhe sytë
ka shumë mënyra
për të ndier muzikën
dhe për të kërcyer nga dritarja
ka shumë mënyra
që poezia ime të bie përtokë.
Pothuajse mund të dëgjoj fjalën e saj të fundit
një pëshpërimë që reflektohet përpjetë
nga një trotuar i zbrazët.
Gati mund të dëgjoj jehonën e saj të fundit
bash pasi që ta godet betonin.
6
Si duhet ta mbaroj poezinë time të fundit?
A do të duhej që poezia ime të fundit të marrë në shenjë ndonjë pikë të zezë qiellore?
A do të duhej të përpiqem të shpëtoj pyllin e shiut?
Ose mos është poezia ime e fundit një vrasëse pa qëllim
që krekoset ndaj një armiku inekzistent
që gjuan kuturu në caqet e rastit.
Poezia ime kamikaze e armatosur dhe e rrezikshme
poezia ime kamikaze që nuk e huq kurrë.
Poezia ime kamikaze nuk dorëzohet aq lehtë.
Poezia ime kamikaze do t’i lajë do hesape.
Poezia ime kamikaze e di se ky është shpërthimi i saj i fundit
dhe do të shitet sa më shtrenjtë
dhe do dikë të madh për të marrë atë që po vjen
ajo do që t’i lë në tavolinën e thyer pushkët që ende qesin tym
ajo do që t’i rrasë në burg disa ish-presidentë
ajo do që Nixon që të paguajë për masakrën e Kent Steitit
ajo do që Reagan t’i hapë disa varre masive
në xhunglat e El Salvadorit
ajo do që George Bush të ndajë të njëjtën qeli me Manuel Noriegan
ajo do që Dan Quayle të ndajë qelinë bashkë me Charles Mansonin
ajo do që ta zhvarrosë J. E. Hooverin në një emision të drejtpërdrejt në CNN
me njerëzit e famshëm të lajmeve
të lexojë një listë të pafund të mizorive policore.
Neve na bien në qafë policët
sa herë që shikojmë në pasqyrën e pasme
sa herë që parkojmë automobilin në rrugë qyteti
sa herë që me radar zënë pritë pas kaçubave
neve na bien në qafë policët.
Neve na bie në qafë Ministria e Mbrojtjes
e cila do të na vrasë të gjithëve.
Na bie në qafë edhe CIA që do të vejë bomba në kozmos.
Na bie në qafë IRS që do të na i marrë paratë
për të krijuar edhe më shumë mekanizma për të na vrarë nga distancat më të mëdha.
Na bie në qafë qeveria që di se ç’është më e mira për ty e për mua.
Na bie në qafë qeveria që kërkon prej nesh të blejmë më shumë televizorë
njashtu që do të mund të shikojmë nga distanca e sigurt sesi po fundoset gjithçka.
Bagdadi u bombardua pasi që ra errësira prandaj mund t’i shohim fishekzjarrët
ama nuk mund t’i shohim foshnjat e sakatuara
nuk mund t’i shohim pirgjet e larta me trupa të pafajshëm rrugëve.
Neve na bie në qafë qeveria
e cila kërkon nga ne të blejmë më shumë cigare
edhe më shumë pije alkoolike dhe sa më shumë armë.
Qeveria e mban geton plot me kokainë dhe heroinë
ndërsa neve na rrasë në burg nëse pimë marijuanë
Burgjet janë plot me tipa që pinë marijuanë dhe kriminelë që s’kanë kryer krime
këta kanë të burgosurit politikë, këta janë të burgosurit politikë
ka më shumë të burgosurish politikë në Amerikë
se në cilindo vend tjetër në botë.
Ka më shumë njerëz nëpër burgje të Amerikës
se në burgjet e Rusisë
Ka më shumë njerëz për frymë në burg në Amerikë
se në cilindo vend tjetër të botës.
Vazhdimisht po ndërtojnë burgje.
Në Amerikë burgjet tashmë veç janë ndërmarrje komerciale.
Ka më shumë raste të identiteteve të gabuara
se asnjëherë më parë.
Ti do të mund të ishe i ardhshmi. Bijtë dhe bijat tuaja. Ose të mitë.
Kjo është poezia ime e fundit dhe dua ta mbaroj në liri.
Jo në kuptimin e lirisë teorike apo absolute.
Në asnjë ideal platonik ose imperativ kategorik.
Bile as të lirisë kushtetuese (ha-ha-ha).
Dua ta mbaroj poezinë time të fundit
duke bërë bash atë që jam duke bërë.
Kjo është ajo liria që dua të blej me poezinë time të fundit.
Atë liri që mund të ndiej në çdo pore të trupit tim.
Nuk po kërkoj edhe aq shumë.
Sa për të blerë një grimë kohë.
Një gjendje të mirësisë së përkohshme.
Grushti im i fundit poetik lulëzoi pa përkufizime
shkëlqeu me mospërfillje të plotë ndaj normave dhe rregullave
me mospërfillje të plotë ndaj sugjerimeve të miqve
me mospërfillje të plotë ndaj mundësisë së botimit
poezia ime e fundit do të kërcejë me braktisje të plotë derisa të rrëzohet.
7
Poezia ime e fundit mund të jetë fillim modest
i një shpërthimi maniak i poezive të fundit
të gjitha duke u zhytur kryengulthi në harresë
një orgji rrëshqitëse e poezive të fundit
që përziejnë veten nga kjo botë
që zgjohen jashtë trupave të tyre.
Po, po, i thërras të gjithë poetët të më bashkohen
dhe lërini poezitë tuaja të lulëzojnë.
Le të ketë poezi të fundit në lidhje me të ndenjurit në kauç
duke ngrënë hotdog tofu
duke shikuar filma inteligjentë të nxitësve të skuadrave
duke vënë baste në ndeshjet metafizike të futbollit
duke garuar për kryetar në qytetet e panjohura
dhe duke komplotuar revolucione të ëmbla.
Imagjinoni këtë: kopshte të gjera të poezive të fundit
që rriten përreth rrokaqiejve
si Babelë rrotullues të poezive të fundit
driza kolosale të poezive të fundit
që pushtojnë Shtëpinë e Bardhë.
Ushtritë e Republikanëve të rinj
presin deri në rrënjë pyjet e poezive të fundit
ama poezia e fundit i zhvesh
dhe ua shuplakon prapanicat e bardha.
Ata përpiqen t’i helmojnë rrënjët e tyre
ama ata ua rrasin do shpulla edhe më të forta
dhe më pas forcohen edhe më tepër.
Haleluja të lavdishme të poezive të fundit.
Togje të poezive të fundit
marshojnë në formacione të forta.
Banda të egra të poezive të fundit
vrapojnë marrëzisht në çdo drejtim.
Poezitë e fundit pushtojnë stacionet televizive.
Poezia e fundit këmben karta që kudo janë në dispozicion.
Aleanca multinacionale të poezive të fundit.
Kartele koalicioni të poezisë së fundit.
Konspiracione ndëryjore të poezive të fundit.
Poezitë e fundit po kthehen nga të vdekurit.
Po, po, i thërras të gjithë poetët të bashkohen me mua
dhe ta shkruajnë poezinë e tyre të fundit!
Bile edhe në qoftë se nuk keni shkruar poezi asnjëherë më parë!
(Mos hezitoni, nisjani bash tash!)
Kurrë nuk është tepër vonë të shkruani poezinë tuaj të fundit.
Ka të ngjarë që të gjitha poezitë të jenë poezi të fundit
ka të ngjarë që poezitë e fundit të vërshojnë çdo gjë
ka të ngjarë që rrugët të përmbytën me poezitë e fundit!
Poezitë e fundit do të varrosin automobilat e policisë.
Poezitë e fundit do t’i kapërdijnë të pasurit dhe do të rishkruajnë historinë.
Poezitë e fundit do ta bëjnë botën vend më të mirë.
Ato me saktësi do t’i parashikojnë
pasojat e herëpashershme.
Ato gjithmonë do ta thonë të vërtetën.
Ato do ta zbresin qiellin në tokë
Bash sikur dikur
kur besonim se bota
do të marrë fund së shpejti
ndërsa poezia do të jetojë përgjithmonë.
(Vazhdon)
Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Fadil Bajraj