Kjo është shqiptarja në krye të Gjykatës Supreme
Besa Ademi, e cila u zgjodh kryetare e Gjykatës Supreme në Shkup ka punuar gjykatëse supreme që nga korriku i vitit 2009.
Fushë të veprimit e ka: Sektorin për vepra civile, Këshillin e specializuar për ankesa kundër vendimeve të Gjykatës Administrative dhe Sektorin për praktikë gjyqësore.
Është nga Shkupi, është 57-vjeçare, ndërkaq edhe pse punon si gjykatëse supreme që nga viti 2009, karrierën e saj e ka filluar në vitin 1990.
Provimin e jurisprodencës e ka kaluar në vitin 1993, ndërkaq një vit më vonë është avancuar në bashkëpunëtor profesonal.
Megjithatë, gjatë periudhës kohore 1999-2004 ajo ka pauzuar si gjykatëse dhe ka punuar si zëvendëse e Avokatit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë.
Nga zëvendësja e Avokatit Shtetëror, ka kaluar në Gjykatën e Apelit ku ka punuar si gjykatëse e lëndëve në sektorin civil. Aty ka qëndruar derisa është zgjedhur gjykatëse supreme.
Gjykatësja Ademi, e cila këtë herë kishte kundërkandidat Xhemali Saitin dhe Lidija Nedelkovën, në vitin 2017, kur kandidoi si kryetare e Gjykatës Supreme kundërkandidat kishte, Jovo Vangellovskin i cili më pas udhëhoqi Gjykatën Supreme dhe u shkarkua për shkak të lëshimeve gjatë ndarjes së lëndëve gjyqësore.
E më pas, Ademi ishte në krye të Këshillit të ankesave i cili edhe e shkarkoi Vangellovskin.