Kjo është shuma që Brentfordi e kërkon për Strakoshën
Katër milionë euro është çmimi për të cilin portieri i kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, mund të shitet në merkaton e kësaj vere. Anglezët e Brentfordit kanë fiksuar çmimin për gardianin e portës, teksa ofertat nuk mungojnë.
Strakosha siç përflitet prej disa ditësh është në radarët e klubeve të Seria A, me Fiorentinën që ka bërë hapa konkret për 29-vjeçarin. Violët janë duke e konsideruar seriozisht portierin shqiptar, pasi qëndrimi i Terazzianos nuk konsiderohet i sigurt dhe Strakosha është i favorizuar pasi e njeh mjaft mirë futbollin italian. “Corriere dello Sport” konfirmon interesimin e skuadrës italiane dhe në të njëjtën kohë zbulon se Brentford kërkon 4 milionë euro për ta lënë Strakoshën të largohet nga Londra. Sakaq, gardiani kuqezi është edhe në listën e dëshirave të AEK-ut.
Verdhezinjtë pas largimit të Stankoviçit dhe Athanasiadis synonin Alberto Brignoli, por 32-vjeçari pritet të përfundojë kalimin te gjermanët e Union Berlin. Pas paraqitjeve të shkëlqyera në Europian, AEK është bindur se duhet të transferojë Strakoshën, por ai nuk është i vetmi që po konsiderohet nga “verdhezinjtë”.