Kjo është tropojanja që i fitoi zgjedhjet për prokurore në ShBA
Demokratja Buta Biberaj i fitoi zgjedhjet për postin e prokurorit në prefektuaren Loudon, Virginia.
Në garë ishin Buta Biberaj e cila fitoi 52,303 vota (49.5%), ndërsa kundër kandidates Nicole Wittmann e cila mori 50,218 (47.5%).
Bude (Buta) Biberaj. Budja i përket familjes së mirënjohur patriotike dhe anti-komuniste shqiptaro-amerikane Biberaj nga Tropoja. Budja është një prej 8 fëmijve të Hysen e Aishe Biberaj, një familje e ngushtë dhe e madhe, të cilës ajo i përket me 19-nipa e mbesa dhe me 16-stërnipa dhe stërmbesa, pasardhës të brezave të kaluar të familjes Biberaj. Familja Biberaj me banim në qarqet administrative Fairfax dhe Loudon të shtetit Virxhinia, afër Washingtonit është e njohur tanimë për gjurmët pozitive dhe arritjet e shumta të anëtarëve të saj në fusha të ndryshme, jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe në jetën e përditshme amerikane, në përgjithësi, sidomos në fushën e biznesit, politikës, gazetarisë dhe tani edhe drejtësisë. E rritur dhe e edukuar në një frymë familjare përgjegjësie për vetveten dhe për të ndihmuar të tjerët në nevojë, të shtypurit dhe të anashkaluarit e shoqërisë — Budja ka zgjedhur profesionin e avokates dhe gjyqtares, pra drejtësinë të cilës Budja ia ka kushtuar gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj, fushën në të cilën ajo shpreson dhe është e gatëshme të kontribojë edhe më shumë në vitet e ardhëshme, duke shpresuar në fitoren e saj javën që vjen.
Shumë e njohur si avokate dhe gjyqtare – me një përvojë prej më shumë se 25-vitesh — në zonën e shtetit Virginia ku jeton, ajo ka vendosur që të kandidojë si anëtare e Partisë Demokrate Amerikane për Kryeprokurore e qarkut ose zonës administrative Loudon, në zgjedhjet që do të zhvillohen atje javën që vjen. Bude Biberaj, për disa muaj tani, ka zhvilluar një fushatë mbresëlënse për këtë post, duke siguruar edhe mbështetjen e gazetës së famëshme të kryeqyteti amerikan, The Washington Post dhe përkrahjen e shumë personaliteteve të politikës dhe drejtësisë amerikane, përfshir edhe ish-Prokurorin e Përgjithëshëm të Shteteve të Bashkuara, në administratën e Presidentit Obama, Eric Holder.