Kjo liturgji nuk mund ta ketë statusin e një aktiviteti fetar, ka konotacion politik
Shkruan: Selim Pacolli
Liturgjia e mbajtur sot në Kishën që është simbol i kolonizimit dhe segregimit të kohës së sundimit gjakatar të Millosheviqit, nuk mund të ketë statusin e një aktiviteti fetar. Është një aktivitet me konotacion politik dhe me synime të rikthimit te ideologjia hakmarrëse nga pozitat e nazifashimit serbomadh, ku Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur dhe luan një rol të madh.
Ky aktivitet i mbajtur sot në kampusin e Universitetit të Prishtinës është pjesë e një projekti të rigjallëruar të Kishës Ortodose Serbe, për ta cimentuar statusin e saj si shtet në shtet. Refuzimi nga manastiri i Deçanit që ta presë kryeministrin e vendit në një vizitë të vullnetit të mirë, kërkesat e kreut të hierarkëve të kishës për status edhe më të gjerë të Kishës në Kosovë, deklaratat e vazhdueshme të kreut të Kishës se Kosova është “Jerusalemi serb”, janë veprime që nuk i shërbejnë as paqes, as stabiliteti e as pajtimit.
Si për koncidencë, rritja e veprimeve të tilla agresive nga ana e Kishës Ortodokse Serbe në drejtim të Kosovës, ka përkuar me takimin e emisarëve Pallmer e Llajçak me kreun e Kishës Serbe. Prandaj, në të ardhmen edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar duhet të ketë maturi, sepse mesazhet e tyre mund të shfrytëzohen për nxitjen e intolerancës dhe të destabilizimit të vendit tonë.
Ne mbetemi të përkushtuar për respektimin e plotë të lirive dhe të të drejatve fetare e nacionale të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Por, në këtë rast tërheqim vëmendjen tek keqpërdorimi i lirive dhe të drejtave fetare, me synime të errëta politike. Nga e kaluara jo e largët në hapësirat e ish Jugosllavisë e dimë se ky ndërkëmbim i keqpërdorimit të fesë në sferën politike, ka shkaktuar tragjedi të mëdha në këto hapësira.
Jemi dëshmitar të gjallë, kur në kohët më të errëta të popullit në Kosovë, kur jeta llogaritej numër, dhe barazohej me vdekjen, në vitet e 90-ta, po këta Pop, në emër të besimit dhe Zotit, bekonin kriminel dhe vrasës, duke i motivuar për vrasje, therrje, dhunime, përndjekje dhe depërtim të popullatës autoktone Shqiptare, për të realizua elaboratet e shumëta shoveniste të Garashaninëve, Çubriloviqëve e deri te ai i Çosiqit!