Kjo ndërtesë në Vlahën të merret nën mbrojtje të shtetit, është vlerë e UÇK-së
Në Lagjen Goça të fshatit Vlahën, rrëzë malit Gajrep (Shqipëri), ndodhet ish-ndërtesa trekatëshe e Minierës së Kromit e braktisur qysh nga koha e viteve ’90.
Ky objekt gjatë vitit 1998/1999 është adaptuar dhe ka shërbyer si bazë e fuqishme e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, disa prej të cilëve sot janë dëshmorë të atdheut. Në këtë vend janë furnizuar me armatim e municion qindra ushtarë të UÇK-së, të cilët kalonin kufirin e hekurt në Pashtrik duke sakrifikuar edhe jetën e tyre.
Edhe sot e kësaj dite ka shumë ish-ushtarë të UÇK-së që vizitojnë këtë vend për të evokuar kujtimet e asaj periudhe të ndritshme, mirëpo e keqja e gjithë kësaj është se në këtë objekt nuk figuron asnjë pllakë përkujtimore që dëshmon një gjë të tillë! Po bëhen mbi njëzet vite që lufta ka përfunduar, mirëpo nostalgjia dhe kujtimet e rekrutëve të ish-UÇK-së nuk shuhen asnjëherë për këtë vend historik.
Andaj, për të ruajtur dhe kujtuar vlerat e UÇK-së do të ishte mirë që kjo ndërtesë të konservohet dhe të merret nën mbrojtje të shtetit, përndryshe në të ardhmen as vet protagonistët e këtyre ngjarjeve historike nuk do të kenë mundësi të gjejnë diçka nga e kaluara e tyre e lavdishme…!
Fundja për vlerat dhe rëndësinë që ka kjo ish-bazë ushtarake e UÇK-së mund të flasin edhe shumë ish-luftëtarë të komunës së Shtimes dhe trevave tjera shqiptare, të cilët kanë shërbyer në këtë vend dhe ishin shembull se si duhet punuar e sakrifikuar për lirinë e atdheut.
Lulzim Sahiti