KKSB-ja: Gjendja e sigurisë në Podujevë, stabile
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB) ka mbajtur të premten mbledhjen e rregullt në të cilën ka shqyrtuar situatën e sigurisë dhe gjendjen me pandeminë Covid-19 në komunë dhe gjendjen e pyjeve.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në këtë mbledhje të cilën e kryesoi nënshkryetarja e komunës, Marigona Lahu, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Podujevë; gjendjen me pandeminë Covid-19, gjendjen e pyjeve të djegura nga zjarret dhe gjendjen në sektorin e arsimit për përgatitjet e vitit të ri shkollor.
Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, raportoi komandanti i Stacionit të Policisë, major Nijazi Jashari, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë dhe stabile.
Jashari duke raportuar për gjendjen e sigurisë tha po vazhdohet me planin operativ për respektim të masave anti-Covid, dhe sigurisë në komunikacion.
Ai tha që gjatë muajit gusht deri më 15 shtator janë shqiptuar rreth 900 gjoba, që kanë të bëjnë me mos respektim të masave kufizuese dhe sigurisë së trafikut.
Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.