Klea Vrella dhe Elba Kokaj përfunduan garat në EYOF Sarajeva 2019
Skitaret e Kosovës, Klea Vrella dhe Elba Kokaj, kanë përfunduar sot garat në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF), Sarajeva dhe Sarajeva Lindore.2019.
Vrella e Kokaj garuan sot në sllallom të madh, në garat e mbajtura në Qendrën Skitare të Jahorinës në Sarajevë.
Klea zuri vendin 71, me kohë 3:22.27 sekonda nga të dy lëshimet (1:39.50 sek. dhe 1:44.47 sek.) ndërsa Elba të 72-tin me kohë 3:24.77 sekonda nga të dy lëshimet (1:40.87 sek. dhe 1:43.90 sek.).
Në total pjesëmarrëse ishin 101 garuese, kurse 29 dolën nga shtegu ose u diskualifikuan.
Trajneri Feim Kollqaku u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skitareve, marrë parasysh kushtet e vështira që mbretërojnë në Kosovë për këtë sport.
“Duke u nisur nga vetë gara, cilësia, kushtet dhe vetë konkurrenca e madhe e garueseve, ku ishin 46 shtete, vajzat i kanë përmbushur kërkesat tona, duke e përballuar këtë shtegë të njohur të sllallomit të madh Olimpik përplotë me akull. Për këtë i përgëzoj të dy skitaret, të cilat arritën ta përfundojnë garën me një sukses solid. Falënderoj edhe trajnerin, Egzon Agani, për kontributin dhe bashkëpunimin e sinqertë qëkishim gjatë këtyre ditëvet”, ka thënë Kollçaku.
Skitaret u shprehën të kënaqura me atë që treguan në sllallom të madh. “Jam e kënaqur me rezultatin, marrë parasysh kushtet të cilat i kemi në Kosovë. Konkurrenca ishte shumë e fortë. Mendoj se garimi në EYOF është një përvojë e mirë për ne”, deklaroi Vrella.
“Sot jam paraqitur më mirë se sa në sllallom. Jam e kënaqur me rezultatin, besoj se do të punojë në të ardhmen që të përmirësohem edhe më shumë”, theksoi Kokaj.
Të dy skitaret ishin të vetmet që përfaqësuan Kosovën në EYOF.