Klea Vrella dhe Elba Kokaj po përgatiten për garën e Turqisë
Dy skitaret e Ekipit Olimpik të Kosovës, Elba Kokaj dhe Klea Vrella, prej 16 dhjetorit janë duke u përgatitur në Qendrën Skitare Erzurum të Turqisë.
Të dyja skitaret do ta përfaqësojnë vendin tonë në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj, që mbahet prej 9-16 shkurt 2019 në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore të Bosnjë e Hercegovinës.
Përgatitjet e skitareve janë mundësuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Elba dhe Klea do të qëndrojnë deri më 24 dhjetor në Erzurum, kurse tri ditë do të kenë gara në nivel të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), në disiplinat sllallom dhe sllallom i madh. Pikërisht në këto dy disiplina, Klea dhe Elba do të garojnë edhe në EYOF Sarajeva 2019. Kosova është në mesin e 48 shteteve të Evropës që do të marrë pjesë në EYOF Sarajeva & Sarajeva Lindore 2019. Për herë të parë në EYOF-in dimëror, KOK-u u paraqit në Erzurum 2017.