Klea Vrella: Synoj ta arrij rezultatin më të mirë të mundshëm
Klea Vrella dhe Elba Kokaj janë dy skitaret e vetme që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore Evropiane për të Rinj (EYOF) që mbahen prej 9-16 shkurt në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore të Bosnjë e Hercegovinës.
Klea është nga qyteti i Pejës. Ka lindur më 1 nëntor të vitit 2002, ndërsa që nga mosha shtatëvjeçare ka filluar të merret me sportin e skitarisë.
“Prej se isha e vogël më ka pëlqyer skijimi dhe kam pasur qejf gjithmonë të merrem me këtë sport. Dashuria për skitë më ka lindur nga programet televizive”, ka thënë Vrella në një intervistë për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Ajo më parë është marrë edhe me not dhe tenis, por rrugën e suksesin e ka gjetur te sporti i dimrit. Klea është kampione e Kosovës për juniore të reja në disiplinën sllallom. Vitin e kaluar fitoi medaljen e artë në kampionatin e Kosovës për disiplinat sllallom dhe sllallom i madh. Në këto dy disiplina ajo do të garojë edhe në Sarajeva 2019. Në muajt e fundit, falë mbështetjes financiare nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Klea dhe Elba janë përgatitur në Erzurum të Turqisë dhe në Brod të Dragashit, për t’i mbushur “bateritë” për paraqitje sa më të mirë në EYOF Sarajeva 2019. “Kemi kaluar shumë mirë në përgatitje. Kushtet ishin shumë të mira”, ka shtuar ajo.
Klea ka garuar në gara të ndryshme ndërkombëtare, por EYOF Sarajeva 2019 do të jetë e veçantë për të. “Ka qenë ëndërr e imja të marrë pjesë në EYOF”, shprehet 16-vjeçarja, e cila shpalos edhe synimet për të ardhmen: “Synoj ta arrij rezultatin më të mirë të mundshëm, ndërsa në të ardhmen ëndërroj të përfaqësoj Kosovën edhe në Olimpiadën e Senioreve”. Garuesja e klubit Alpi të Pejës frymëzimin për të garuar e gjënë tek idhulli i saj, dy herë kampionia e botës dhe një herë medalistja e artë olimpike, amerikania Lindsey Vonn. Për ekipin olimpik të Kosovës, EYOF-i dimëror Sarajeva 2019, do të jetë pjesëmarrja e dytë, pas debutimit në “Erzurum 2017”.