Kleri në qendër, sporti n’bisht t’sorrës
Shkruan: Agron Hoti
Njëra ndër sfidat kryesore të Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë ka qenë integrimi në sportin evropian dhe në atë botëror. Gjithsesi, Kosova për vetëm 9 vite shtetësi, pra nga viti 2008 e deri në 2017, me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare ia kishte dalë që të anëtarësohej në të gjitha federatat kryesore botërore dhe evropiane të sportit. Kjo ka qenë ndër arritjet më të mëdha që i ka hapur dyert rinisë së Kosovës drejt sportit evropian dhe botëror.
Por, duke qenë vendi më i ri dhe me popullsinë më të re në Evropë nuk është se kemi bërë shumë për rininë si pjesën më vitale të shoqërisë. Gojën vazhdimisht e kemi pasur plot rini, ndërsa veprimet plot pleqëri. Veprimet e tilla kanë bërë që qendra e Prishtinës të bëhet arenë objektesh kulti, ndërsa sporti e e rinia të s’postoheshin në periferi. Aq të padukshme janë sot federatat sportive të Kosovës saqë edhe me satelit e ke vështirë t’i gjesh nëpër Prishtinë.
Çdo shtet normal në botë i orienton politikat në përputhje me strukturën e popullsisë. Kosova ka qenë me fat që ka pasur popullsinë më të re në Evropë. Një popullsi e re gjithsesi që ka shumë më pak nevojë për kujdes shëndetësor ngase është më vitale, por që ka shumë nevojë për mbështetje shtetërore për zhvillimin e rinisë, ku sporti përbën ndër shtyllat kryesore. Sepse sa më shumë sport, aq më të shëndetshme e ke popullsinë. Fundja sporti sot në Evropë e gjetiu është bërë industri.
Në vend që qendra e Prishtinës të lulëzonte nga federatat sportive apo klube e ndryshme sportive, ku do të defilonin të rinjtë dhe të rejat për ta demonstruar edhe fizikisht strukturën dhe karakterin rinor të shtetit të Kosovës, ne kemi bërë të kundërtën, të gjitha institucionet sportive i kemi futur nëpër skuta të Prishtinës, ndërkohë që qendrën ia kemi lënë kultit. Bile, edhe Pallatin e Drejtësisë në vend që ta ndërtonim në qendër të qytetit siç ndodh në çdo shtet në botë për të përçuar para qytetarëve mesazh institucional e drejtësie, ne e kemi ndërtuar atë në periferi të Prishtinës.
Në vend që Bashkitë e Kosovës të kishin ndërtuar hapësira të mjaftueshme sportive, ku do të mund të zhvillohej sporti, ato më së paku janë marrë me sport. Sigurisht që ka pasur ca lëvizje, por jo në përputhje me nevojat dhe me karakterin rinor të shtetit. Nuk ka pasur as politika e as përpjekje për të ndërtuar liga sportive që në shkolla fillore, të mesme e deri në fakultete siç i bën çdo shtet. Edhe infrastruktura sportive sigurisht që ka çaluar. Për më tepër, edhe në këtë shekull të dixhitalizimit masiv, nuk ka pasur dhe as që ka as sot lëndë dixhitale nëpër shkolla fillore e të mesme, ndërkohë që sektori privat në fushën e IT-së po përjeton rritjen më të madhe së së paku 15 vite. Me një fjalë më së paku u jemi përgjigjur nevojave të rinisë.
Për sportin kryesisht na bie ndërmend vetëm kur sportistët tanë arrijnë ndonjë sukses ndërkombëtar dhe aty turravrap garojmë se kush po fiton më shumë poena politikë për të dhënë ndonjë shpërblim. Edhe atë shpërblim që ua japim sportistëve mundohemi ta përvetësojmë aq shumë politikisht thua ti se po ua japim nga xhepat tanë e jo nga buxheti i Kosovës. Kjo mënyrë trajtimi e rinisë dhe sportit vazhdon edhe sot saktësisht sikurse në të kaluarën. Dhe të gjitha këto e nxisin ikjen e rinisë nga vendi për fatin tonë të keq.
Dhe në vend që rinisë t’i ofrojmë kushte për sport, kulturë e art, ne kemi zgjedhur që lëndët sportive në shkolla fillore e të mesme të kalohen shkel e shko, që lëndët e kulturës dhe artit të kalohen po ashtu shkel e shko. Prandaj, nuk duhet të befasohemi kur shohim rininë tonë duke u marrë me gjëra të këqija, përfshirë BBVA dhe BBVK. Fundja nuk thuhet rastësisht: çfarë të mbjellësh, do korrësh.