KLGI dhe DEMOS mbështesin takimin e Forumit Konsultativ për Qeverisje Lokale
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) së bashku me DEMOS mbështetën takimin e radhës të Forumit Konsultativ për Qeverisje Lokale, për të diskutuar lidhur me koordinimin e punës së organizatave të forumit, dhe hartimin e agjendës së përbashkët karshi qeverisjes lokale.
Përgjatë punëtorisë, pjesëmarrësit në dy grupe pune, diskutuan dhe trajtuan çështje për pozicionin e shoqërisë civile karshi temave si: Qeverisja e brendshme/administrimi lokal; Qeverisja e mirë; Performanca komunale; Financat dhe zhvillimi ekonomik lokal; Çështjet sektoriale ndër-qeveritare (grantet specifike); Çështjet sektoriale komunale; Çështjet sociale dhe problemet e ri-përsëritura (të shtresuara, sistematike).
“Është tejet i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit në mes shoqërisë civile dhe institucioneve lokale, duke vendosur synime strategjike dhe agjendën e përbashkët të veprimit, për t’i shërbyer forcimit të demokracisë në nivel lokal”.
“Pas kësaj punëtorie, do të hartohet një dokument i pozicioneve të shoqërisë civile për organet e reja komunale që do të dalin pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021. Dokumenti do të analizojë gjendjen aktuale të fushave të qeverisjes lokale dhe propozimet e forumit për procesin dhe hapat që duhet të marrin organet e reja komunale për zgjidhjen e problemeve të identifikuara. Para së gjithash, dokumenti do t’i shërbejë organizatave të shoqërisë civile për t’i adresuar temat të cilat duhet të trajtohen dhe prioritetet që duhet vendosen”, ka njoftuar Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.
Forumi Konsultativ për Qeverisje Lokale është mekanizëm i përbashkët konsultativ i krijuar nga Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) dhe disa organizata të shoqërisë civile që fokus të punës kanë qeverisjen lokale në Kosovë.
Forumi është themeluar për të diskutuar zhvillime, tema, projekte dhe ide rreth qeverisjes lokale në Kosovë me qëllim promovimin, kontributin dhe avokimin e përbashkët në zhvillimin e mëtutjeshëm të vetëqeverisjes lokale.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Dialogue for European Municipalities (DEM), i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.