Klinaku: Futja e Kosovës Lindore në diskursin e Thaçit është hap i madh përpara
Avni Klinaku, sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, parti që po përkrah idenë e shkëmbimit të territoreve, ka shtruar pyetjen dhe ka dhënë përgjigjen se ku po gabon presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
“Ka kohe që Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi ka filluar një fushatë mjaft ngjeshur për një marrëveshje finale me Serbinë në lidhje me problemet e mbetura të pazgjidhura pas shpalljes së pavarësisë. Dhe kjo është shumë më mirë sesa bisedimet e marrëveshjet e deritashme, të cilat janë zhvilluar vetëm për serbët në Kosovës”, ka thënë Klinaku.
Sipas tij, futja e Kosovës Lindore në diskursin e Thaçit është një hap i madh përpara.
“Por ai këtë e ka futur përmes ndarjeve, bashkimeve, korrigjimeve të kufijve etj., pra nëpërmjet territoreve, e jo ashtu siç duhet, siç do të ishte zgjidhja, dhe siç do të pranohej nga të gjithë: nëpërmjet njerëzve dhe të drejtave e tyre. Parimi i reciprocitetit në të drejta në mes të banorëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, në njërën anë, dhe Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut, në anën tjetër, ja zgjidhja e krejt çështjes, kjo edhe nëse çon në ridefinim të kufijve për hir të zgjidhjes së problemeve dhe të drejtave të njerëzve, në të dyja anët”, ka thënë Klinaku.