Klinaku: Gjykata Speciale edhe sot dëshmoi se nuk është serioze
Ushtruesi i detyrës të kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar se Gjykata Speciale po tregon se nuk është serioze.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se me moskthimin e pajisjeve të konfiskuara në kësaj selie, Gjykata Speciale po tregon se është politike.
“Neve na kanë thënë që do t’i kthejnë ato pajise në zyrat tona, por me kërkesë të tyre për shkak të sigurisë, kanë kërkuar që më 24 mars të shkojmë t’i marrim ato pajisje. Për këtë kemi autorizuar avokatin Tomë Gashi të shkojë sot në zyrat e EULEX në Fushë Kosovë, dhe kjo gjykatë nuk i ka dorëzuar”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, avokati i OVL-UÇK-së, Tomë Gashi ka treguar se sot në orën 10:00 kanë shkuar në selinë e EULEX për t`i marr pajisjet, por ato nuk i janë dorëzuar.
“Nuk kanë dhënë ndonjë afat se kur do t’i dorëzojnë ose kthehen pajisjet. Ata një ditë duhet t’i kthejnë, Gjykata speciale duket se e ka humbur rrugën dhe kështu po tregohet jo serioze”, ka deklaruar ai.