Klinaku: Gjykata Speciale është gjykatë politike, nuk sjell drejtësi
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar sërish për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale, e cila dënoi me nga katër vjet e gjysmë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Gjykata Speciale është gjykatë politike.
“Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht që nga themelimi i saj, ashtu e konsiderojmë se Gjykata Speciale është gjykatë politike, e cila nuk sjell drejtësi, nuk ndjek krime por vetëm i ndjek shqiptarët dhe atë me akuza, shpifje dhe dokumentacione të Serbisë pushtuese. Në vend se të hetohen skandalet e prokurorisë së dhomave të specializuara që ju dolën nga zyrat e tyre në Hagë, gjykata merr vendime politike”, ka shkruar Klinku.
Ai ka shtuar se si organizata të dala nga lufta e UÇK-së kanë qenë dhe janë “kundër kësaj pseudogjykate”, dhe sipas tij, për çdo veprim kundër saj vendosin organet e tyre drejtuese.
“Kuvendi i Kosovës si organi që e ka miratuar këtë, duhet që seriozisht të merret me këtë pseudogjykatë. Duke pasur parasysh se atje janë edhe gjyqtarë të skandaleve, skandale që i kanë bërë në UNMIK dhe EULEX, nuk kemi pritur vendim tjetër për krerët e OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, ka thënë Klinaku.