Klinaku i OVLUÇK-së: Nuk ka qeveri ideale, i kemi provuar të gjithë

11 janar 2021 | 11:37

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se nuk presin ndryshime nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Ai ka thënë se kjo organizatë nuk është e kënaqur me punën e asnjë partie politike. Klinaku, duke folur për kërkesën e tyre që Ligji për Gjykatën Speciale të dërgohet në atë Kushtetuese, ka përmendur se vetëm ish-deputetja Duda Bajle vazhdon ta përkrah këtë iniciativë, ndërsa deputetët e tjerë të Kuvendit kanë tërhequr nënshkrimet e tyre.

Më tutje, Klinaku ka thënë se për OVLUÇK-në nuk ka qeveri ideale, por ka theksuar se është e rëndësishme që cilado parti politike të fitojë në zgjedhje të fokusohet tek zhvillimi ekonomik dhe punësimi i të rinjve.

“Për OVL-UÇK-në me të thënë të drejtën qeveri ideale s’ka, ne kemi shumë shokë të luftës por nuk do të thotë kjo që mund të jenë më të mirët në qeverisje, por qeveri ideale nuk ka sepse i kemi provuar të gjithë”.

“Në të gjitha qeveritë e kaluara dikush na ka përkrah, dikush nuk na ka përkrah fare, por qeveri ideale për qytetarët se në këtë rast edhe ne jemi qytetarë, do të duhej të ishte që ata të merren më shumë për zhvillimin ekonomik dhe për punësimin e të rinjve. Kjo do të ishte qeveria ideale edhe për qytetarët edhe për ne si veteranë”, ka thënë Klinaku për “EO”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doruntinë Maloku, ka…