Klinaku i reagon Gërvallës: Edhe sa kohë Kurti do e durojë një ministre të tillë
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka reaguar pas deklaratave të Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla. Kjo e fundit tha në Dubrovnik se Kosova duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë duke luftuar krimin dhe korrupsionin dhe s’duhet ta fajësojë BE’në për gabimet e veta.
Nëpërmjet një shkrimi n Facebook, Klinaku thotë se janë vetë zyrtarët e BE’së ata që e kanë pranuar se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim vizash.
“Të fajësosh Kosovën për mospërmbushje të kushteve duke ia lënë fajin asaj, e të mos e fajësosh BE-në ku edhe zyrtarët e saj kanë thënë se janë përmbushur kriteret por ka ‘divergjenca’ në BE, përveç se është amatorizëm politik, është edhe e dëmshme për Kosovën dhe nuk e di se edhe sa kohë kryeministri Kurti do ta durojë një ministre të tillë të jashtme”, shkroi ai.
Në fund Klinaku ripërsëriti se për Kosovën primare do të duhej të ishte bashkimi me Shqipërinë.
Shkrimi i plotë i Klinakut në Facebook:
E para:
Shumë herë më parë e kam thënë se vizat nuk liberalizohen pa u përfunduar marrëveshja Kosovë-Serbi;
E dyta:
Të fajësosh Kosovën për mospërmbushje të kushteve duke ia lënë fajin asaj, e të mos e fajësosh BE-në ku edhe zyrtarët e saj kanë thënë se janë përmbushur kriteret por ka ‘divergjenca’ në BE, përveç se është amatorizëm politik, është edhe e dëmshme për Kosovën dhe nuk e di se edhe sa kohë kryeministri Kurti do ta durojë një ministre të tillë të jashtme.
E treta:
Prapë e kam thënë më herët, mos vraponi pas BE-së sepse humbni vite e derisa Kosova të futet aty, ajo mund edhe të prishet;
***Kosovës duhet t’i interesojë vetëm bashkimi me Shqipëri e jo me BE***.