Klinaku intervistohet nga policia pas deklaratës për Kurtin
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Faton Klinaku është intervistuar të mërkurën nga Policia e Kosovës për deklaratën që ka bërë dje për kryeministrin Albin Kurti, me ç’rast kishte thënë “se më parë do ta vriste atë, sesa ta lëshonte Kosovën”.
Pas intervistimit, Klinaku ka bërë me dije kjo deklaratë e tij është nxjerrë nga konteksti.
“Sapo dola nga stacioni policor. Me urdhër të prokurorit u intervistova lidhur me deklaratën. Siç e thashë edhe në polici, ajo deklaratë është nxjerrë prej konteksti. Kaq mund të them për media. E sa i përket kërkesave për dorëheqjen time nga drejtimi i OVLUÇK-së, hiç në plan nuk e kam. Nuk më kanë zgjedhur ata që po kërkojnë dorëheqjen time, por anëtarët e organizatës së veteranëve”, ka thënë Klinaku.
Klinaku ka ndarë dje në “Facebook” një bisedë që ka pasur me një votues të Kurtit, ku ndër të tjerash ka thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
Për këtë deklaratë, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili është shprehur se e njëjta ka qenë kërcënim i hapur dhe si e tillë është e papranueshme./Tëvë1