Klinaku kërkon votën e obiliqasve për Ajet Berishën
Sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku përmes një postimi në ‘Facebook’ ka kërkur nga qytetarët e Obiliqit që ta votojnë kandidatin për kryetar nga LB-ja, Ajet Berishën.
“Bëjeni Ajetin kryetar dhe ju garantoj se ky do të jetë vendim të cilin do ta sistemoni në katalogun e vendimeve tuaja, për të cilin nuk do të pendoheni kurrë në jetë!”, ka shkruar Klinaku.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur bashkëqytetarë të Obiliqit,
Për Ajet Berishën për herë të parë kam dëgjuar gjatë kohës së ilegalitetit. Ata që merrnin vëmendjen tonë në ato kohëra të vështira ishin njerëzit e mirë, të ndershëm, patriotë e trima. Sepse për ta kishte nevojë lufta për liri.
Ajetin arrita ta takoja vetëm në vitin 2001. Unë vija nga burgu, ai nga robëria. U takuam të dy në liri. Vinim nga lufta e njëjtë, por nga fronte të ndryshme. Ajeti nuk na kishte zhgënjyer. Kishte qenë ai njeriu i mirë e patriot për të cilin kishim dëgjuar. Pa asnjë hezitim ishte vënë në shërbim të atdheut tonë, duke rrokur armët për liri.
Sot, mbi dy dekada pasi e kam njohur atë, vazhdojmë të jemi miq të mirë. Vazhdojmë të punojmë për të njëjtin ideal – për një jete më të mirë për qytetarët. Ajeti, pas angazhimit shumëvjeçar për këtë ideal, ka vendosur që kontributin e tij ta japë nga roli i kryetarit të Obiliqit. Synon të jetë aty prej ku mund të bëjë më së shumti për bashkëqytetarët e tij.
Ajeti ishte zëri i fuqishëm i të gjithë atyre të cilëve zëri u haste në vesh të shurdhër. Në kohën kur Komuna e Obiliqit shfrytëzohej e ndotej pamëshirshëm, askush nuk dëgjonte për hallet e saj. Ajeti u angazhua me tërë qenien e tij dhe, falë angazhimit të tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij, sot e kemi Ligjin për Obiliqin, i cili ia siguron komunës sonë mbi 4.5 milion euro në vit, pra dyfishin e buxhetit të zakonshëm. Duke qenë i etshëm për mirëqenien e bashkëqytetarëve të tij, ai në rolin e kryetarit do të angazhohet për shfrytëzimin edhe më të mirë të këtij ligji, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë edhe më shumë nga ai.
Ajeti si opozitar ishte luftëtar i paepur kundër korrupsionit e keqpërdorimeve. Si kryetar, ai do ta bëjë këtë flamur të qeverisjes së tij!
Ajeti dje ishte në gjendje të japë jetën për lirinë e bashkëkombësve të tij; Ajeti sot është i gatshëm të japë çdo sekondë të jetës së tij për mirëqenien e bashkëqytetarëve të tij!
Bëjeni Ajetin kryetar dhe ju garantoj se ky do të jetë vendim të cilin do ta sistemoni në katalogun e vendimeve tuaja, për të cilin nuk do të pendoheni kurrë në jetë!
#AjetiPërKryetar
#140
#LB