Klinaku: Kurti po e shfajëson Vuçiqin për krimet në Kosovë
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar ndaj një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se Millosheviqi nuk e ka pyetur fare asokohe ministrin e tij, Aleksandër Vuçiq, tani president i Serbisë.
Klinaku ka vlerësuar se Kurti e ka shfajësuar Vuçiqin për krimet në Kosovë. Po ashtu, Klinaku i ka reguar edhe deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj.
“Sa skandalet janë duke i bërë, vetëm me reagu për çdo ditë! Albin Kurti e paska shfajësuar Vuçiqin për krimet në Kosovë, duke thënë se Millosheviqi nuk e ka pyetur atë. Albin, nga kushti që para dialogut Serbia duhet të kërkojë falje për krimet, e deri te amnistia për udhëheqësit serb, çfarë është kjo? Driton Selmanaj paska thënë se Adem Demaçi dhe Albin Kurti kishin hapur zyrë politike të UÇK-së në mes të Prishtinës dhe s’u ndodhi asgjë, kurse profesori dhe njëri nga themeluesit e LDK-së, Fehmi Agani dhe avokati Bajram Kelmendi ishin vrarë nga forcat serbe edhe pse i përkisnin lëvizjes pacifiste të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Driton, as Ibrahim Rugovën nuk e kanë vra apo jo?”, ka shkruar Klinaku në llogarinë e vet në “Facebook”.