Klinaku: Nesër protestojmë kundër ZPS-së dhe EULEX-it
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka kritikuar EULEX-in dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Ai ka thënë se me veprimet e fundit këto institucione kanë shqetësuar familjet e shumë veteranëve të UÇK-së.
Klinaku ka shkruar në “Facebook” se nesër (e premte) do të protestohet kundër këtyre institucioneve.
Ai ka treguar se protesta do të mbahet te selia e këtyre institucioneve në Fushë Kosovë, duke filluar nga ora 12:00.
“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë, duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal. Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, ka shkruar Klinaku.