Klinaku: Protestën e PSD-së e mbështetëm për të kundërshtuar veprimin e Trendafilovës
Protestën e Partisë Socialdemokrate (PSD) kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, e ka mbështetur edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinaku.
Para eskalimit të protestës, Klinaku ka theksuar se do të ishte mirë që Trendafilova të ftojë në këtë diskutim së pari OVL-UÇK-në për të shprehur, siç tha ai, kritikat ndaj Gjykatës Speciale për ndalimin e komunikimit të paraburgosurve me familjarë dhe vizitorë.
Në këtë protestë, Policia e Kosovës ka arrestuar disa anëtarë të Partisë Socialdemokrate, përfshirë edhe kryetarin Dardan Molliqaj.
Ndërsa Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate, ka theksuar se nuk do të lejojnë që “Gjykata Speciale e pa drejtë të bëhet normale”.
Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve të cilët gjendeshin para njërit nga hotelet në Prishtinës, ku pritej të zhvillohej një takim në mes kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Ndryshe, Trendafilova ndodhet për vizitë në Kosovë dhe po mban një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.