Klinaku: Qeveria nuk po bën asgjë për kategoritë e luftës
Liderët shtetërorë e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe të mërkurën në Prekaz, te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
E këto nderime, për Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) po bëhen vetëm për përfitime elektorale.
Ai ka thënë se qeveria aktuale nuk po bën asgjë për kategoritë e luftës.
“Dëshmorët nuk janë nderuar as në të kaluarën e sidomos tash nuk janë duke u nderuar fare. Janë duke i nderuar vetëm për përfitimet e tyre elektorale. Dëshmorët nuk duhet të përkujtohen vetëm në data të caktuara, por dëshmorët dhe familjet e tyre duhet të përkujdesen institucionet për ta. Institucionet e Kosovës duhet të përkujdesen për kategoritë e luftës, qofshin ata familjet e dëshmorëve, invalidë e veteranë, e qeveria aktuale nuk është duke bërë asgjë në këtë drejtim”, ka thënë ai për Front Online.