Klinaku: Vendimi i Apelit ndaj “Calit”, skandaloz dhe politik

14 dhjetor 2023 | 23:03

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku, ka thënë se dënimi i Salih Mustafës me 22 vjet burgim është skandaloz.

Klinaku ka akuzuar ashpër Gjykatën Speciale në Hagë dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar duke thënë se është vetëm politike dhe se ky vendim ndaj Slaih Mustafës sipas tij, është një padrejtësi e radhës.

Në vijim, Klinaku ka theksuar se asnjë gjykatë, përfshirë Tribunalin e Hagës dhe EULEX, nuk ka konstatuar se ndalimi i një personi ishte i paligjshëm. Ai ka shtuar se gjatë kohës së luftës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte autoritetin të ndalonte çdo person të dyshuar në territorin e saj.

“Së pari ky vendim është skandaloz është poshtërsi e radhës e një Gjykate Speciale e cila kryekëput është politike. Dhe jo vetëm në emër tim por edhe në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës që përfaqëson mijëra anëtarë nuk mund të gjykohet padrejtësisht një person që edhe gjykatat qofte Tribunali i Hagës për krime lufte në Jugosllavi qoftë në UMNIK apo EULEX nuk kanë konstatuar dhe nuk mund ta konstatojnë se ndalimi është i paligjshëm. Sepse në një terren ku e ka kontrollin Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka ndalime të paligjshme. Një ushtri që gjatë kohës së luftës mund të ndalojë secilin person që është i dyshimtë”, ka deklaruar ai në TV Dukagjini.

Klinaku ka vazhduar me akuzat duke theksuar se Gjykata Speciale nuk ka interes për popullatën shqiptare duke theksuar se akuzat janë të ndërtuara nga Serbia pushtuese dhe bashkëpunëtorët e saj.

Ai gjithashtu ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për shantazh dhe kërcënime ndaj dëshmitarëve.

“Kësaj Gjykate e sidomos Zyrës të Prokurorit të Specializuar nuk i interesojnë fare as popullata shqiptare por i interesojnë vetëm të gjykojë njerëzit politikisht edhe mbi bazën e disa akuzave banale dhe shpifëse që për mendimin tim ne e dimë saktësisht që ato i ka ndërtuar Serbia pushtuese më argatët e saj. Jo vetëm të Calit [Salih Mustafës] por edhe pjesëtarët e tjerë që mbeten atje në paraburgim. Ai që po shantazhin dhe kërcënon dëshmitarët është Zyra e Prokurorit të Specializuar”, ka deklaruar Klinkau.

Në përfundim, Klinaku ka shprehur keqardhje për mosreagimin e institucioneve ndaj vendimit të Apelit dhe i ka akuzuar ata për servilizëm, pavarësisht nga pozita e tyre në pushtet apo opozitë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Dibran Hoxha, në Debat Plus ka pretenduar se Qeveria…