Klinaku, Zyrës së Prokurorit të Specializuar: Nuk do t’i mbajmë fshehur skandalet e juaja

13 qershor 2021 | 13:44

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, i ka reaguar Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Hagës, pasi kjo e fundit e ka përdorur një deklaratë të tij në debat televiziv si provë për të kundërshtuar lirimin e drejtuesve të kësaj organizate, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, që janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë.

Klinaku ka thënë se është duke u habitur me amatorizmin e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

“Për Prokurorinë e Specializuar në Hagë: Po habitem me amatorizmin tuaj – ne as nuk kemi publikuar e as nuk publikojmë asgjë. Ne ua kemi ofruar mediave për publikim dhe do t’ua ofrojmë përsëri. Nuk do t’i mbajmë fshehur skandalet e juaja sepse nuk e kemi asnjë detyrim për këtë”, ka shkruar Klinaku në llogarinë e vet në “Facebook”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në parashtresën e saj citon deklaratën e Klinakut ku thotë se do të publikojë çfarëdo materiali që i vjen nga Specialja, qoftë ai edhe konfidencial, ashtu siç kishin bërë Gucati e Haradinaj.

Në shkresën e saj ZPS-ja ka thënë se Gucati e Haradinaj rrezikojnë 10 vjet burg, dhe sipas tyre duke pasur parasysh gjatësinë e dënimit, lirimi i përkohshëm i tyre nuk do të ishte i preferueshëm.

Kujtojmë se Nasim Haradinaj e Hysni Gucati  janë arrestuar nga hetuesit e Speciales më 25 shtator të vitit të kaluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Kombëtares së Portugalisë, Joao Cancelo ka dal pozitiv…