Ministri Ismaili përuron laparaskopin e ri në Klinikën e Gjinekologjisë
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar sot Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.
Gjatë kësaj vizite ministri Ismaili ka përuruar pajisjen e re të laparaskopit, e cila ka munguar në këtë klinikë në tri vitet e fundit.
Me këtë pajisje, e cila ka kushtuar 86 mijë euro, profesionistët shëndetësorë do të kenë mundësi që të realizojnë intervenime kirurgjike me prerje minimale përmes videokamerës të instaluar në të.
Intervenimet me laparaskop ngrisin cilësinë dhe sigurinë e intervenimit, si dhe shkurtojnë kohën e shërimit të pacientit duke zvogëluar në masë të madhe komplikimet post operative.
Gjatë përurimit të kësaj pajisje, ministri Ismaili tha se lufta kundër korrupsionit gjatë këtyre dy viteve ka krijuar mundësi të reja për investime në shëndetësi.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, ka thënë se me këtë pajisje pacientëve do t’u ofrohen shërbime moderne të Gjinekologjisë si në të gjithë botën.
/Epoka e re/