Klinika e Onkologjisë bëhet me sistemin laserik C-RAD të gjurmimit optik 3D
Në Klinikën e Onkologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës u bë promovimi i sistemit laserik C-RAD të gjurmimit optik 3D, duke e bërë kështu këtë institucion të vetmin në rajon me këtë teknologji të avancuar.
Përdorimi i sistemit laserik C-RAD për pozicionim në radioterapi ofron një gamë të gjerë trajtimesh për pacientët tanë, duke përfshirë terapi të precizionit dhe efikasitetit të lartë në trajtimin e sëmundjeve onkologjike.
Kjo teknologji e fundit ofron një standard më të lartë kujdesi dhe trajtimi për të gjithë pacientët që i nënshtrohen radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë.
C-RAD ofron një pozicionim shumë të saktë të pacientit, duke siguruar që rrezatimi të drejtohet saktësisht në zonën që duhet trajtuar, ndërsa minimizohet ekspozimi i indeve të shëndosha dhe komplikacionet edhe efektet anësore të mundshme, pas trajtimit me radioterapi.
Ndërkohe që shkurtojnë kohën e nevojshme për përgatitjen dhe trajtimin e pacientëve, duke përmirësuar efikasitetin e punës në klinikë.
Po ashtu kjo teknologji ofron zgjidhje për menaxhimin e lëvizjes së frymëmarrjes, duke lejuar trajtimin e saktë të tumoreve në zonat që lëvizin me frymëmarrjen, siç janë mushkëritë dhe gjoksi.
Këto përfitime e bëjnë sistemin C-RAD një zgjidhje të duhur për pozicionimin e pacientëve në radioterapi, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të trajtimit.
Pritet që brenda dy muajve, pas trajnimit të stafit mjekësor, të filloj trajtimi i pacientëve me këtë teknologji të avancuar.