Klinika e Onkologjisë ka kryer mijëra shërbime për një vit
Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës, vitin e kaluar ka ofruar mijëra shërbime mjekësore për pacientët e prekur me kancer, ndonëse sistemi shëndetësor në vend po sfidohej fort nga pandemia Covid-19 dhe ishte i detyruar të operonte me kapacitete të reduktuara.
Pavarësisht situatës së krijuar, në Onkologji janë kryer të gjitha kontrollet e zakonshme dhe vizitat specialistike.
“Me kohë, pa vonesë, pacientët kanë marrë edhe kemioterapitë, terapitë biologjike, terapitë e cakut, hormonoterapitë dhe imunoterapitë. Për më tepër, është ofruar mjekim për pacientët nga 24 deri në 48 ore, ndërkaq janë realizuar të gjitha seancat e mjekimit me rrezatim kurativ dhe paliativ, pa lënë anash mjekimin ambulator paliativ, vizitat psikologjike dhe vizitat e mjekimeve fizioterapeutike”, është bërë me dije në njoftimin e QKUK-së.
Së fundmi është kryer edhe rrezatimi i sofistikuar me Brahiterapi për tumoret e organeve gjenitale të femrës.
“Shumë shpejt do të fillojë punën edhe aparati modern për rrezatim, i cili përdor teknikat IMRT, IGRT, dhe Combeam CT. Vlen të përmendet se asnjë pacient, që ka qenë në mjekim onkologjik dhe është infektuar me Covid-19, nuk ka përfunduar me fatalitet”, është theksuar në njoftimin e QKUK-së.