Klinika e ORL-së në QKUK pajiset me aparaturë moderne
Klinika e ORL-së në Qendrën Klinike Universitare është pajisur me aparaturë moderne, të kohës së fundit, të cilat i posedojnë vetëm spitalet perëndimore.
“Në përpjekjet e saj të vazhdueshme për të rritur kualitetin e shërbimeve, SHSKUK ka furnizuar Klinikën e ORL-së me një Bronkoskop dhe një Ezofagoskop. Bronkoskopi është një pajisje, me të cilën mjekët largojnë trupa të huaj në rrugët frymëmarrjes”, është bërë me dije në njoftimin e QKUK-së.
“Me funksion të ngjashëm, Ezofagoskopi, ndërkaq, kryen ndërhyrje në pjesën fillestare të rrugëve të tretjes. Aparatura e re krijon lehtësi dhe ofron më shumë siguri për mjekët gjatë intervenimit tek pacienti”.
Në komunikatë theksohet se furnizimi i Qendrës Klinike Universitare dhe spitaleve të përgjithshme me aparaturë të re, është parë si nevojë e domosdoshme nga menaxhmenti i SHSKUK-së, për ta përmirësuar shërbimet për pacientët dhe kushtet për profesionistët shëndetësorë.