Klinika e Pediatrisë e stërmbushur me pacientë, dy fëmijë të shtrirë në një shtrat
Në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të fluksit të madh të pacientëve, po detyrohen që dy fëmijë t’i shtrijnë në një shtrat.
Nga kjo klinikë thonë, se brenda ditës rreth 140 pacientë kërkojnë ndihmë mjekësore, derisa potencojnë se rreth 30 fëmijë kanë nevojë të hospitalizohen.
Ndërkaq, prindërit ankohen për hapësirën e ngushtë, derisa thonë se brenda një dhome të vogël, bashkë me prindër dhe vizitorë numri shkon deri në 12.
Qytetari, Ramadan Berisha i cili e ka të hospitalizuar një familjar, vlerëson se kushtet në Klinikën e Pediatrisë nuk janë të mira, raporton KosovaPress.
“E kam sjellë një familjarë këtu, një fëmijë, ka pas dhimbje të barkut edhe vjellje, deri nesër është këtu, por në një dhomë të vogël tre fëmijë ishin, tre fëmijë dhe tre nëna, pra gjashtë. Kushtet janë të këqija, tash po shkoj po ia marr disa barna… Sistemi i mjekësisë këtu është problem, se më ka rënë rasti edhe me disa të familjes tjetër, ku të shkosh në privat apo të shtetit, nuk din as ku ta dërgosh. Herën e kaluar kur e kemi pasur djalin tjetër, është dashtë ta marrë një farë infuzioni, është dashtë të shkoj ta blej dhe ta sjell se nuk i kanë pasur të gjitha. Dhoma e vogël, një shtrat këtu, dy në anën tjetër, goxha ngushtë aty me hy te shtrati, edhe tash edhe vera nxehtë tre persona të rritur, tre fëmijë, gjashtë, vizitorët, 10 apo 12, është tepër e vogël për këtë numër të fëmijëve”, tha Berisha.
Ndërkaq, lidhur me këtë, pediatri në Klinikën e Pediatrisë, Ali Venhari për KosovaPress tha se janë të detyruar t’i vendosin dy pacientë në një shtrat, për shkak të numrit të madh të fëmijëve që kërkojnë hospitalizim.
“Klinika e Pediatrisë, në përgjithësi i ka 150 shtretër, këta shtretër janë të ndarë nëpër reparte, për problemin që ne tash hasim më së shumti, si rezultat i kësaj viroze, është reparti i gastroenterologjisë akute. Nëse klinika ka me qenë plot ose neve na detyrohet t’i bëjmë dy fëmijë në një shtrat edhe atë duhet ta bëjmë, nëse nuk kemi hapësirë. Faktikisht, unë veç e shpreha se pavarësisht edhe mos të na mjaftojë hapësira, shtretërit ne e bëjmë praktikë që t’i bëjmë dy fëmijë me një shtrat, ose organizohemi me repartet tjera, ose nëse krejt kapacitet janë të mbushura, i bëjmë dy fëmijë me një shtrat, por nuk e kthejmë një fëmijë që ka indikacion për hospitalizim dhe trajtim. Sigurisht as prindërit nuk kanë dëshirë me pas fëmijën e vet të shtrirë me një fëmijë tjetër”, tha Venhari.
Tutje, Venhari tregon se gjatë sezonit të verës, simptomat që e karakterizojnë virozën janë vjellja, diarreja dhe temperatura.
“Faktikisht brenda emergjencës së Klinikës së Pediatrisë, diku për rreth 24 orë, i kemi diku rreth 120-140 vizita, brenda këtyre vizitave për hospitalizim përafërsisht 20 deri në 30 fëmijë kanë nevojë të hospitalizohen, pjesa tjetër i trajtojmë me terapi. Në këtë kohë, më të shpeshta i kemi vjellje, bark qitje dhe temperaturë, që është një problem gastrointestinal, faktikisht më së shpeshti i shkaktuar nga viruset tash të sezonit, preken kryesisht fëmijët me këtë telashe. Edhe trajtimi shumicën e rasteve të them diku 70-80 për qind të rasteve trajtohen me terapi përmes gojës. Mirëpo, pjesa e mbetur diku 20 për qind të rasteve kanë nevojë edhe për hospitalizim”, u shpreh Venhari.
Përveç kësaj, pediatri Ali Venhari, theksoi se Klinika e Pediatrisë ka nevojë për rritjen e stafit mjekësor, derisa shton se janë të furnizuar pjesërisht me barna esenciale.
“Ne si Klinikë kemi nevojë gjithmonë më shumë, se ka punë shumë ka Klinika e Pediatrisë, ne jemi të shpërndarë nëpër reparte, faktikisht tu u nis prej pranimit nëpër krejt repartet. Kështu që, mendoj se pavarësisht sa e kemi stafin, ne kemi nevojë prapë edhe për staf të mesëm edhe për mjekë. … Për neve kish me qenë një ndihmesë nëse kishim pas më shumë staf. Jemi të furnizuar, pjesërisht, jo plotësisht. Kryesisht me atë çka na furnizojmë, fëmijët i furnizojmë me ato se çfarë i kemi, ndonjëherë ndërron përmbajtja e barnave me të cilat na furnizojnë”, tha Venhari.
Ndërkaq, Venhari tregoi se kohëve të fundit nuk është paraqitur ndonjë rast që ka rezultuar pozitiv me Covid-19 tek fëmijët.