Klitschko: Nuk përjashtohet mundësia që Kievi të mbetet pa rrymë dhe ujë
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se nuk mund të përjashtojë mundësinë që kryeqyteti ukrainas të mbetet pa rrymë dhe ujë, si pasojë e sulmeve shkatërruese ruse në infrastrukturën e energjisë.
“Ne jemi duke bërë gjithçka që kjo të mos ndodhë. Mirëpo, të jemi të sinqertë, armiqtë tanë janë duke bërë gjithçka për të lënë këtë qytet pa ngrohje, rrymë dhe ujë, ashtu që të gjithë ne të vdesim. Ne nuk jemi duke e përjashtuar këtë gjë, prandaj jemi duke shqyrtuar skenarë të ndryshëm për të qenë të përgatitur”, ka thënë Klitschko më 5 nëntor.
Ukraina është përballur me ndërprerje të rrymës dhe ujit prej kur Rusia ka nisur sulmet me raketa dhe dronë në objektet e energjisë muajin e kaluar.
Sipas autoriteteve ukrainase, rreth 40 për qind e infrastrukturës së energjisë është “dëmtuar seriozisht” nga bombardimet ruse.
Moska ka thënë se sulmet janë përgjigje ndaj atyre që i ka konsideruar sulme ukrainase në Krime, ndonëse Kievi ka hedhur poshtë këto pretendime.
Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.
Klitschko ka thënë se Kievi veçse ka nisur të sigurojë rezerva të ujit dhe ushqimeve, si dhe është duke siguruar edhe gjeneratorë elektrikë nëse duhet aktivizuar.
“Ne jemi gati për skenarë të ndryshëm, prandaj nuk do të heqim dorë”, ka thënë Klitschko.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.