Klitschko për bombardimet ruse në Kiev: Duan të na trembin, bëni kujdes
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të kryeqytetit ukrainas që të bëjnë kujdes nga bombardimet ruse, pasi ajo çfarë Moska po përpiqet të bëjë, është t’i trembë ata.
“Trupat ruse janë barbare”, shkroi ish-kampioni i botës në boks në mediat e tija sociale. “Armiku kërkon të na trembë ne, ndaj qëndroni në gatishmëri e bëni kujdes nga bombardimet”.
Mbi të gjitha, ai u ka kujtuar njerëzve të ndjekin rregullat e paracaktuara për mbrojtjen civile, në mënyrë që sa më shumë jetë të shpëtohen.
Thirrja kryesore ka shkuar për njerëzit më të cenueshëm nga bombardimet, për të shkuar në vendstrehimet e posaçme të përgatitura.
Po ashtu, sirenat dhe alarmet kundër bombardimeve janë dëgjuar disa herë në Kiev, duke lëshuar sinjalin e rrezikut të bombardimeve.
Postimi i vendeve të bombarduara është bërë rreptësishtë i ndaluar për të gjithë qytetarët. Ndërsa, mbi bilancet e pas goditjeve, është bërë thirrje të priten njoftimet zyrtare nga autoritetet.
“Së bashku, në unitet, do t’ja dalim dhe do të fitojmë”, e përmbylli kreu i Kievit lajmërimin.