Kloppi mban në ankth Liverpoolin
Në skuadrën e Liverpoolit ka frikë se trajneri Jurgen Klopp mund të vendosë që të mos rinovojë kontratën me kampionët e Evropës.
Sipas “The Sun”, frika e teknikut gjerman për shëndetin e tij ka bërë që bisedimet e mundshme për rinovimin të frenojnë. “Reds”- at, të cilët e paguajnë ish-teknikun e Borussia Dortmundit me 7 milionë sterlina në vit, kanë ndërmend t’i ofrojnë atij një kontratë të re pas triumfit në Ligën e Kampionëve, duke ia rritur rrogën në 10 milionë paund në vit. John Henry po mendon që t’i ofrojë gjermanit një kontratë 6-vjeçare në “Anfield Road” (60 milionë sterlina) nga frika e një sulmi prej rivalëve të mundshëm që admirojnë gjermanin.
Por, sipas “The Sun”, 52-vjeçari po lëviz shumë ngadalë e me kujdes dhe do të mendohet mirë përpara se të pranojë të hedhë firmën në një tjetër kontratë. Sipas burimeve të tabloidit, Klopp vlerëson shëndetin e tij përpara karrierës dhe nuk dëshiron ta vendosë veten nën stres të madh, duke firmosur një kontratë të re. Në verën e 2016-s, Kloppi dhe stafi i tij teknik firmosën rinovimin e kontratës një vit pas ardhjes në “Anfield”, deri në vitin 2022. Ata nuk kanë asnjë plan që të mos e respektojnë kontratën deri në fund me “Reds”- at.
Në fund të sezonit 2021-’22, kur të skadojë marrëveshja aktuale, ai do të ketë mbushur shtatë vjet në stolin e 18 herë kampionëve të Anglisë dhe drejtuesit e klubit kanë frikë se sa më shumë i suksesshëm gjermani të jetë në stolin e të kuqve, aq më tërheqës do të bëhet emri i tij për klubet e interesuara. Kloppi bëri me dije se interesimi i Juventusit dhe Realit të Madridit, përpara se këto klube të firmosnin me Maurizio Sarrin dhe Zinedine Zidane, ishte i pavërtetë. Sezonin e fundit ish-trajneri i Dortmundit u rikonfirmua në elitën e trajnerëve botërorë, duke ndërtuar një skuadër ëndrrash, e cila ngriti Ligën e Kampionëve të gjashtë në histori, por luftoi deri në fund edhe me Manchester Cityn për titullin kampion, duke regjistruar vendin e dytë (97 pikë) më të mirë në histori.
Objektivi kryesor i Kloppit këtë sezon do të jetë ai që t’i japë fund pritjes 29-vjeçare për ta festuar titullin e parë kampion në Angli. Por tifozët e kuq janë të shqetësuar sepse ai po pret më gjatë se parashikimet për të konsideruar të ardhmen e tij.