Kloppi me detyrë të re, emërohet drejtor i Red Bullit
Jurgen Klopp është padyshim një nga personazhet më karizmatikë të botës së futbollit, kjo falë qasjes tepër pozitive me tifozët, lojtarët dhe mediat. Duke qenë një person shumë popullor dhe i dashur, lamtumira e tij në fund të sezonit të shkuar, u prit me lot në sy jo vetëm nga tifozët e Liverpoolit, por edhe nga sportdashësit anembanë globit.
Pas sukseseve të jashtëzakonshme me anglezët, timonieri gjerman vendosi të ndajë rrugët. Megjithatë teksa vetë Klopp deklaroi se këtë sezon do t’i dedikohej i gjithi familjes së tij, e përditshmja gjermane “Bild” ditën e sotme ka dhënë lajmin se Klopp ka pranuar tashmë detyrën e tij të re. Gjermani ka nënshkruar një kontratë disa vjeçare me Red Bull dhe puna do të nisë zyrtarisht më 1 janar 2025.
57-vjeçari do të jetë drejtor i Red Bull, ku do të ketë nën vëzhgim të gjitha ekipet e kësaj kompanie. Saktësisht sipas të përditshmes gjermane “Bild”, Klopp do të jetë këshillues për ekipet e Leipzig, Salzburg dhe New York për çështjet e stërvitjeve, filozofinë e lojës, zhvillimin dhe transferimet e talenteve, trajnerëve dhe më gjerë.
Ndërkohë në kontratën e nënshkruar me kompaninë Red Bull ka dhe një klauzolë të veçantë që lidhet me kombëtaren gjermane. Sipas gazetës gjermane bëhet me dije se Kloppi mund të largohet nga ky pozicion nëse në të ardhmen do t’i ofrohet mundësia të jetë trajneri kryesor i Gjermanisë, si pasardhësi i mundshëm i Julian Nagelsmann. Vetë Klopp është shprehur shumë i emocionuar dhe entuziast, ku ka theksuar se dëshiron të mbështesë talentet e futbollit. Për të ky është një projekt mjaft ambicioz që do të marrë të gjithë vëmendjen.