Kloppi: Nuk do të ketë transfere në janar
Skuadra e Liverpoolit është prekur nga dëmtimet e shumta këtë sezon. Situata më problematike është krijuar në prapavijë, aty ku Klopp ka humbur për shkaqe dëmtimesh emra si Virgil Van Dijk, Joe Gomez dhe Joel Matip.
Kampionët e Anglisë kanë nevojë për një qendërmbrojtës, teksa në takimin e fundit në kampionat përballë Southampton (Liverpool humbi 1-0), trajneri gjerman luajti me dyshen Henderson-Fabinho (të dy mesfushorë) në qendër të repartit defensiv.
Tifozët presin përforcime në merkaton e dimrit, por Klopp deklaron se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Nuk mund ta them me siguri të plotë që nuk do të bëjmë asnjë blerje tani, por thjesht nuk është e mundur në këtë situatë. Edhe nëse do të bashkohen ndonjë lojtar më ne, që nuk e di a do të ndodhë, nuk e cilësoj si një zgjidhje të drejtë, pasi koha është e shkurtër për t’u përshtatur dhe vështirë që do të na ndihmonte”, ka deklaruar Klopp.