Klose: Tare ka bërë punë të madhe te Lazio, por nuk i thotë gjerat në sy
Igli Tare dhe Miroslav Klose janë dy emra shumë të rëndësishëm për historinë e Lazios por, fatkeqësisht, marrëdhënia mes tyre e nisur në mënyrë të shkëlqyer po karakterizohet me sulme dhe kundërpërgjigje.
Në fund të majit të kaluar Klose deklaroi se ishte larguar nga kjo skuadër pasi nuk i ishte ofruar kurrë rinovimi, ndërsa ish-drejtori sportiv, shqiptari Tare, u shpreh në lidhje me këto deklarata se nuk është e thënë se pas një futbollisti të madh të jetë një njeri i madh.
Në një prononcim të fundit për “Il Messaggero”, ish-sulmuesi i kombëtares gjermane iu kthye sërish kësaj teme.
“Nuk dua të bëj polemika, thjesht thashë që nëse një klub vendos të ndërpresë një marrëdhënie me një lojtar, duhet t’i tregosh paraprakisht e jo ta presësh ditën e fundit siç ndodhi me mua, Luliq, Maurin, Bizzarrin, lista është e gjatë…”, ka thënë Klose.
“Kur nuk më komunikuan asgjë, mora vendimin të ndalesha dhe ta largoja shqetësimin, por e tregova historinë time që këto keqkuptime të mos përsëriten në të ardhmen, që ta ndryshojnë metodën e punës te Lazio. U ndamë keq, sepse (Tare) nuk është një person që i thotë gjërat në fytyrë, por duhet pranuar që ka bërë një punë të madhe te Lazio, më mori mua dhe shumë talente si Felipe Anderson dhe Milinkovic”, ka deklaruar Klose.