Klubet ankohen për mosngrohje të palestrave
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku për dy ditë radhazi kanë qenë nikoqir të përfaqësuesve të klubeve të Superligës së Kosovës, Ligës së Parë të Meshkujve dhe Ligës së Femrave.
Takimet janë zhvilluar të hënën dhe të martën në zyre të FBK-së dhe qëllimi i tyre ka qenë që Kryetari Fetahu të shpalos në pika të shkurtra gjithë atë që FBK ka bërë për klubet në vitin 2018 dhe atë që pritet të bëjë në vitin 2019. Po ashtu tjetër qëllim i takimit ka qenë që të dëgjohen edhe opinionet e përfaqësuesve të klubeve kosovare duke kontribuar me ide, projekte, vepra konkrete në mënyrë që së bashku të punohet për zhvillimin e mëtutjeshëm të basketbollit kosovar në përgjithësi.
Në këto takime drejtuesit e klubeve i kanë shpalosur edhe shqetësimet e tyre, e që kryesisht kanë të bëjnë me financat, por edhe me palestrat, të cilat gjatë dimrit janë të kapluar nga acari.
Klubet kanë kërkuar ndihmë nga FBK në dy aspekte: presion ndaj Qeverisë për të filluar me implementimin e ligjit për sponsorizim, si dhe presion tek Komunat dhe Qeveria për të filluar me ngrohjen e palestrave, të cilat tash e 20 vjet janë në gjendje të njëjtë dhe askush asnjëherë nga qeveritë lokale dhe qendrore nuk e ka marr iniciativën për të rregulluar këtë problem.
Kryetari Fetahu është zotuar se në bashkëpunim me klubet do të fillojnë të bëjnë presion tek të gjitha Komunat, duke bërë kërkesë konkrete për ngrohjen e palestrave, ndërsa në lidhje me fillimin e implementimit të ligjit për sponsorizim, numri një i FBK-së ka kërkuar ndihmë edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) si organi kryesor i sportit në vendin tonë.
Kryetari Fetahu ka kërkuar nga klubet që të intensifikojnë punën me gjenerata të reja, pasi që ata janë edhe e ardhmja e basketbollit kosovar, si dhe ka kërkuar më shumë hapësirë për lojtarët vendor, në mënyrë që kur ata të luajnë gjatë verës për Përfaqësueset e Kosovës të jenë në gjendje më të mirë fizike, por edhe profesionale. Krahas përfaqësuesve të skuadrave të Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së Femrave, kryetari Fetahu në javën e ardhshme do ti takojë edhe drejtuesit e ekipeve të Ligës së Dytë të Meshkujve.