Klubet “Besa” e “Ilirida” fitues të turneut “Esmir Shala” në not
Në pishinën e Banjës së Malishevës, është mbajtur kupa memoriale në not “Esmir Shala”, garë kjo tradicionale dhe zyrtare, e cila organizohet në bashkëpunim mes Komunës së Malishevës, klubit të notit “Besa” dhe Federatës së Notit të Kosovës.
Gara ka filluar me mbajtjen e një minute heshtje në nderim të Adem Demaçit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Në këtë garë, ekipet fituese janë Klubi i Notit “Besa” për meshkuj, ndërsa për femra, Klubi i Notit “Ilirida”.
Në hapjen e garave, kanë marrë pjesë edhe zyrtarët e Federatës së Notit, përkatësisht kryetari i federatës Imer Rama, si dhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu-Ramaj.
Duke folur në hapjen e garave, drejtoresha Besartë Kryeziu-Ramaj, pasi i ka uruar pjesëmarrësit, ka thënë se, “Esmiri të jetë motiv për gjeneratat e reja, që merren me sportin e notit dhe ju të jeni të suksesshëm, ashtu siç ishte edhe Esmiri”.
Në këtë garë kanë marrë pjesë mbi 150 garues nga 14 klube të notit dhe tri shkollave të notit, ku vendin e parë për meshkuj e zuri “Besa”, të dytin “Termopan” dhe të tretin “Ilirida”, ndërsa tek femrat, vendin e parë e zuri ekipi “Ilirida”, të dytin “Prishtina” dhe vendin e tretë “Zenit”.